Basha: Kasetën e masakrës së Krushës së Madhe e mori BBC, s’kam qenë kurrë pjesë e ndonjë procesi kundër UÇK-së

TIRANË, 19 nëntor /ATSH – I. Vata/ “Kaseta e masakrës së Krushës së Madhe është marrë nga BBC, nga Dash Peza si përkthyes i BBC”, deklaroi sot kryetari i PD-së Lulzim Basha, i ftuar në një emision televiziv.

Ai tha se ndihet krenar për punën që ka bërë për Kosovën dhe asnjëherë nuk e ka takuar zotin Bellanica.

Milaim Bellanica deklaroi në medie se ia kishte dorëzuar Lulzim Bashës kasetën me filmime nga masakra e Krushës së Madhe dhe se kishte kërkuar t’ia kthente, ndërkohë që Latif Gashi e akuzoi Bashën po në medie se ka qenë i pranishëm gjatë arrestimit të tij dhe humbjen e ditarit të luftës. I pyetur për këto deklarata, Basha tha se kaseta e masakrës së Krushës së Madhe është marrë nga BBC, duke u shprehur se nuk e ka takuar kurrë Bellanicën.

“Vetë Dashamir Peza tregon se kaseta është marrë në dorëzim nga BBC. Është transmetuar nga BBC dhe shumë kanale perëndimore. Sipas pohimeve kaseta është marrë nga BBC, e tha Dash Peza. Mund të njihet si mik i Ramës, jo si miku im. E dyta, u çmontua me kurajo gazetareske nga Baton Haxhiu. Kurrë asnjëherë nuk kam qenë pjesë e një procesi kundër UÇK. Nuk kam marrë pjesë në asnjë arrestim, arrestimet i bën policia”, tha ai.

Basha shtoi se ka bërë dy hetime. “Kam qenë pjesë e Tribunalit të Hagës që ngriti aktakuzën kundër Sllobodan Millosheviçit gjatë viteve ’98-’99 dhe ka kulmuar me ngritjet e padisë”.

“Jam krenar për kontributin tim për çuarjen para drejtësisë të kasapit të Ballkanit. Në Kosovë në detyrën time të parë në Mitrovicë kemi hetuar disa krime të forcave paramilitare serbe në vitin 2000. Në këto dy hetime kam ndihmuar me rolin tim në organizata ndërkombëtare”, u shpreh Basha.

“Kurrë në asnjë çast nuk kam marrë pjesë në asnjë lloj procesi dhe nuk kam patur asnjë lloj aksesi në asnjë informacion, hetim dosje që kishte të bënte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi Basha.

Po ashtu, Basha deklaroi se “u ngrit fabula e Shtëpisë së Verdhë”, e cila po ashtu u çmontua”.

“Në një hark kohor janë fabrikuar tri gënjeshtra. E para, për kasetën që doli që e kishte marrë BBC nga Dash Peza. E dyta, për arrestimin e një ish-komandanti të UÇK-së që u tha se kurrsesi nuk ka qenë Lulzim Basha. Dhe e treta, për “shtëpinë e verdhë”, theksoi Basha.

Basha tha se Hashim Thaçi vazhdon të paguajë çmimin për lirinë e Kosovës.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.