TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se javën tjetër pritet të zbllokohet procesi për aeroportin e Vlorës, për të nxjerrë fituesin.
Rihapja e garës ndërkombëtare pritet të ndodhë pasi u ndërpre për shkak të pandemisë.
Në fjalën e tij, në ceremoninë e hapjes së ankandit për ndërtimin e parkut foltvoltaik të Spitallës në Durrës, Kryeministri Rama theksoi se, “shpresoj që shumë shpejt do të jemi këtu përsëri, mbase javën e ardhshme do të zhbllokojmë dhe procesin për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës për të cilin kemi bërë përpjekje dhe e konsideroj një tjetër gur të rëndësishëm në mozaikun e përgjithshëm të Shqipërisë që ne parafytyrojmë dhe për të cilin ne luftojmë dita-ditës ta kemi si një realitet të plotësuar në këtë 10-vjeçar ku kemi hyrë”.
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës do të rrisë shumë interesin industrial në gjithë zonën, duke u bërë një portë hyrëse për turizmin, por edhe për investimet që sjellin zhvillim ekonomik. /k.s/j.p/r.e/