10-mujori/ Mbi 60% e vëllimit tregtar me vendet e Bashkimit Europian

TIRANË, 19 nëntor/ ATSH/ Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian
për dhjetëmujorin e 2020-s, zënë 63,2%, të gjithë tregtisë.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT për tregtinë e jashtme, në dhjetëmujorin e 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 221 miliardë lekë dhe importet e mallrave arritën vlerën 488 miliardë lekë.

Gjatë kësaj periudhe, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 57,8 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia, e cila zuri 31,4% të volumit, Greqia 7,7%, Gjermania 7,3% dhe Turqia me 6,8%.

Gjatë këtij dhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Gjermania me 14,3%, Maqedonia e Veriut me 0,6%, dhe Serbia me 43%.

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë Italia me-16,6%, Kosova me 17,5% dhe Spanja me -24,1%.

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Gjermania me 0,8%, Serbia me 34,9% dhe Rusia 17,7%.

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë Italia me -11,7%, Turqia me -4,6% dhe Greqia me -5,7%.

/a.gjonaj//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.