Votim online për zgjedhjet në LSI/ Braimllari: Më 5 dhjetor do të formatohet ekipi

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Të shtunën LSI do të zhvillojë zgjedhjet në parti, ndërsa më 5 dhjetor do të mbahet Konventa Kombëtare.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Endrit Braimllari, i ftuar në studion e emisionit “7pa5” pohoi se Konventa Kombëtare e LSI do të marrë vendime shumë të rëndësishme, pasi do të ketë në fokus krizën e shkaktuar nga pandemia.

Teksa siguroi një pjesëmarrje masive në zgjedhjet për delegatë, Braimllari theksoi se 21 nëntori do të jetë një ditë e rëndësishme, pasi sipas tij do të jetë paralajmërimi i fitores në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“Kemi perfunduar fazën e organizimit të strukturave tonë të zgjedhjes së drejtuesve nëpër organizata të partisë. Ditën e shtune do të mbahen zgjedhjet për delegatë dhe kryetaren e LSI. Zgjedhjet për delegatë janë shumë të rëndësishme sepse përfaqësojnë me mandatin e tyre anëtaresinë në Konventën Kombëtare të LSI,  e cila do të mbahet më 5 dhjetor dhe do të marrë vendime shumë të rëndësishme”, tha ai.

Sipas tij, “kjo konventë që do t’i përshtatet edhe situatës së pandemisë.  LSI është e vetmja parti që ka aplikuar votimin elektronik, në vitin 2012, delegatët votuan elektronikisht. Ishte një risi për kohën. Anëtarësia e LSI është e gjitha e përfshirë në një sistem, e cila do të mendohet online. Me 5 dhjetor do të formatohet edhe një ekip që do të hyjë totalisht në fushatë”.

“Fokusi kryesor ka të rinjtë, gratë dhe krijimin e vendeve të reja pune. Do të ketë dy mënyra votimi, personat që kanë mundësi do t’i drejtohen zyrës së partisë, të cilët do të votojnë fizikisht, por do të ketë edhe një votim online, përmes një platforme që do të bëhet publik. 21 nëntori do të jetë një ditë fitore që do t’i paraprijë 25 prillit. Pjesëmarrja do të jetë e jashtëzakonshme. Më 5 dhjetor do të formatohet edhe një ekip që do të hyjë totalisht në fushatë”, theksoi Braimllari. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.