Spitali i ri i fëmijëve në Durrës/ Rama: Në 7 vjet kemi bërë më shumë se në dekada të tëra për Shëndetësinë

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot ambientet e Spitalit të Ri të Fëmijëve në Durrës, një strukturë spitalore me kushte optimale sipas standardeve më të mira europiane.
“Shikojeni Spitalin e Ri të Fëmijëve dhe urdhëro le të flasin ata që sa herë thithin ajër nxjerrin një fjalë të keqe! Jam shumë krenar që kjo qeveri po ndërton spitale e po rindërton struktura të tëra shëndetësore, të cilat para 7 vjetësh as më optimisti nuk i imagjinonte dot se mund t’i shihte ndonjëherë në Shqipëri”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se do të vazhdojmë, papushim, me mund e me durim, t’ia kthejmë krejtësisht faqen shërbimit tonë shëndetësor, por ndërkohë, fakti është se në këto 7 vjet kemi bërë më shumë se në dekada të tëra bashkë, për shëndetësinë që duam.
Duke folur për këtë investim, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh se “jo vetëm janë përmirësuar kushtet e shërbimit, por është një ndër spitalet më të mira pediatrike që kemi”.
Ndërkohë ministrja tha se “jemi duke investuar edhe në spitale të tjera, spitalin pediatrik të QSUT-së dhe spitalin pediatrik të Elbasanit”.
“Spitali i ri i fëmijëve në Durrës do të ofrojë shërbime për fëmijët, por nga ana tjetër edhe kushte shumë të mira pune për mjekët e infermierët. Ka hapësira të dedikuara edhe për prindërit. Funksionon tashmë si një spital modern me të gjitha elementët e duhura e me standarde”, tha Manastirliu, ndërsa nënvizoi edhe cilësinë e aparaturave në këtë spital.
Ajo theksoi se ky është konceptuar si një spital miqësor për fëmijët dhe brenda ambienteve të tij gjenden edhe ambiente të posaçme argëtuese për ta.
“Kushtet në këtë pediatri ishin si nata me ditën krahasuar me sot”, tha Ministrja.
Kapacitetet e këtij spitali janë në 90 shtretër, ndërkohë që shërbimet janë konceptuara të ndara.
Manastirliu tha se “këtë vit në buxhet kemi vendosur qendrën shëndetësore numër 2, e cila nga tërmeti është prishur dhe është gati projekti për ta rehabilituar me fondet e buxhetit 2021”.
“Vitin që vjen vijon kantieri i shëndetësisë do të përfundojmë maternitetin e Lezhës, maternitetin e Beratit, fillojmë investimin në pediatrinë e Elbasanit, përfundojmë pjesën e parë të pediatrisë të QSUT-së, Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme”, tha Manastirliu.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.