Skema Kombëtare/ 34 aplikime për masën: Investo në agroturizëm dhe përfito 50% financim

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ 34 aplikime janë regjistruar për të përfituar nga Skema Kombëtare e mbështetjes në Bujqësi 2020, në masën 7: Investo në agroturizëm dhe përfito 50% financim.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, “masa 7 adreson mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5.000.000 lekë për subjekt”.

Ndërkohë përfituesit e mundshëm janë subjekte ose Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor të regjistruar në Qëndrën Kombëtare të Biznesit për aktivitetin që aplikojnë.

Sipas AZHBR-së, investimet e pranueshme janë në zonat rurale. Subjektet duhet të aplikojnë me plan biznesi 5-vjeçar dhe sipas modelit zyrtar të parashtruar nga AZHBR

Një nga kriteret kryesore është se aplikantë duhet të kenë kryer investimet para lidhjes së kontratës dhe duhet që leja e ndërtimit /rikonstruksionit të sigurohet para lidhjes së kontratës, por jo më vonë se 60 ditë pune nga data e përfundimit të aplikimeve.

Gjithashtu përfitues të kësaj mase janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

Agroturizmi dhe turizmi rural janë veprimtari të cilat kanë një potencial të lartë zhvillimi për zonat rurale në Shqipëri dhe tashmë në shumë fshatra të Shqipërisë kanë filluar të funksionojnë ferma që ofrojnë shërbime në agroturizëm dhe kanë arritur në një kohë të shkurtër rezultate shumë të mira ekonomike dhe sociale (Thethi, Voskopoja, Dardha etj.).

Qeveria në kuadër të programit të 100 fshatrave po mbështetet me instrumente financiare dhe fiskale krijimi i një rrjeti fermash agroturistike, që plotësojnë kriteret dhe standardet e përcaktuara, të cilat do të jenë baza e rrjetit shqiptar të agroturizmit.

Mbështetja për të krijuar një masë kritike të numrit të sipërmarrjeve të agroturimzit në Shqipëri do të shërbejë për rritjen e punësimit në zonat rurale, krijimin e një destinacioni dhe “marke” të veçantë të agroturizmit në Shqipëri, krahas ofertave të tjera turistike, si dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe vlerave tradicionale të fshatit shqiptar.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.