“Rindërtimi nuk ka parti, është i të gjithëve”/ Rama në kantieret e ndërtimit të shtëpive në zonën e ish-Kënetës, Durrës


TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot disa prej shtëpive individuale që po rindërtohen në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

“Rindërtimi i shtëpive në zonën e ish-Kënetës vazhdon dhe nuk do të ndalet, deri kur familja e fundit të jetë kthyer në një shtëpi të re, më të fortë e më të bukur se ajo që humbi në 26 nëntorin e shkuar”, siguroi Kryeministri.

Në takimin me banorët përfitues të këtyre banesave, Rama tha se “e mira nuk ka fund, por ne kemi bërë më të mirën”.

Rama theksoi se “Rindërtimi nuk ka parti, por Rindërtimi është i të gjithëve, i demokratëve, i socialistëve, me parti, pa parti, me llafe, pa llafe”.

Kryeministri pa nga afër edhe punimet që po kryhen për ndërtimin nga e para të banesës së një të moshuare që jeton vetëm. “Banesa do të jetë gati brenda muajit dhjetor. Ti je vetëm, po vetëm s’je, se ne nuk të lëmë vetëm”, tha Rama.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj theksoi se “në Durrës janë 1024 njësi individuale të vlerësuara dhe në 200 banesa ka filluar rindërtimi dhe këta banorë pritet të futen në shtëpitë e reja brenda vitit”.

Ahmetaj tha se “vlerësimi i njësive individuale vazhdon dhe mund të kemi edhe një shtesë prej rreth 500 shtëpi të tjera individuale”.

Ndërkohë kryetarja e bashkisë Durrës, Emirjana Sako tha se “këto familje marrin bonusin e qirasë dhe tani po fillojmë t’i zbresim, sepse aty ku mbarojnë punimet, bëjmë ndërprerjen e bonusit”.

“Brenda vitit do të kemi 12 objekte arsimore dhe 200 banesa ku do futen njerëzit”, tha ajo. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.