Rindërtimi në Durrës/ Vijon rikonstruksioni, në dalje të dimrit 615 pallate shumë më të sigurtë se më parë

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Durrës, ku 458 pallate në shtatë lote, jo vetëm po meremetohen së brendshmi, por edhe po transformohen krejt mjediset e brendshme dhe pamja e jashtme e pallateve të hershëm, duke krijuar një atmosferë krejt të re në blloqet e banimit.
Kryeministri theksoi se bashkë me 157 pallatet e dy loteve të fundit, në dalje të dimrit plot 615 pallate gjithsej, do të jenë shumë më të sigurt e shumë më të bukur se sa në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar.
“Na ndodhi ajo e keqe e madhe, të nxjerrim një të mirë nga ajo e keqe. Ta bëjmë gjithë lagjen shumë më mirë. Durrësin do ta bëjmë siç e meriton”, tha Rama.
Kryeministri vizitoi edhe banesën e një qytetari, i cili ka përfituar grantin e rikonstruksionit për dëme DS2 dhe ka meremetuar tashmë banesën.
Po ashtu, Rama foli edhe me banorët e një pallati të dëmtuar rëndë me vlerësim DS5, të cilët i siguroi se pas rivlerësimit përfundimtar do të vendoset nëse pallati i tyre do të rikonstruktohet, ose nëse do të ndërtohet po aty nga e para.
“Nëse do të bëhet nga e para, secili do të marri shtëpi të re aty ku e ka. Ndërkohë do të vazhdoni të merrni bonusin derisa të bëhet e re. Por duhet pritur edhe përgjigja e fundit nga specialistët”, tha Rama.
Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako siguroi të gjithë qytetarët se do të përfundohen në kohë të gjitha projektet. “Kanë qenë objekte të amortizuara edhe nga koha dhe me ndërhyrjet që po bëjmë me objektet e përbashkëta, po trajtojmë të gjitha rifiniturat”, tha ajo./m.m/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.