Rimbursohet 100% paketa bazë për trajtimin e COVID në banesë/ 1.2 miliardë lekë financim nga buxheti i shtetit

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Qeveria ka vendosur rimbursimin 100% të paketës bazë të trajtimit ambulator në banesë për personat e prekur nga COVID-19.

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se financimi antiCOVID nga buxheti i shtetit në kuadër të këtij vendimi shkon në 1.2 miliardë lekë.

Ky vendim është një mbështetje direkte për qytetarët, që do të përfitojnë paketën bazë të trajtimit për simptomat e COVID-19, sipas udhëzimit të rifreskuar të mjekëve të familjes, të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Konkretisht janë dy skema mjekimi që do të rimbursohen 100% falas, me një financim prej 1.2 miliardë lekë nga qeveria shqiptare.

Skema 1 e trajtimit përfshin format e lehta të prekjes nga infeksioni, ndërsa skema 2 përfshin format e moderuara të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov 2.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.