TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Sipas vendimit të qeverisë, paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë.
Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë.
Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Për diagnozën COVID-19, e gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar.
Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim, hyn në fuqi menjëherë./a.gjonaj/r.e/