Rikualifikimi i Drejtorisë së Transportit Rrugor, Lushnjë/ Shërbime dhe kushte me standarde

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR) po vijon pa ndërprerje investimet në të gjitha zyrat rajonale.

Aktualisht po vijon puna për rikualifikimin e zyrave të DRSHTRR Lushnjë, nëndegë e Drejtorisë Rajonale të Fierit,  ku po punohet për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

DRSHTRR ka publikuar pamje që tregojnë dy realitete ekstreme të ambienteve të kësaj zyre, që përpara investimit ishin në gjendje të rrënuar ndërsa sot ofrohen kushte shërbimi sipas standardeve më të mira.

Godina e DRSHTRR Lushnje gjendej në kushte të pamjaftueshme për të ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme. Investimi i ri në këtë godinë përfshin sallë të re lejedrejtimi me 10 poste shërbimi, klasë e re e marrjes në provim me 25 poste për kandidatët dhe zyra shërbimi.

Shtesa anësore në krahun perëndimor të godinës ekzistuese me sipërfaqe totale rreth 250 m2 dhe e riorganizuar në ambientet ekzistuese duke ofruar komoditet dhe cilësi, rrjet i ri elektrik, sistem aspirimi, ngrohje ftohje, ambiente sanitare të reja, rikonceptim i jashtëm, brandim i godinës.

Investimi ofron për qytetarët cilësi, komoditet e ulje të kohës që u merrte në rastin e Lushnjës, ecejakja drejt Fierit. /j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.