Protokollet antiCovid/ 573 qytetarë masa administrative për mosmbajtje maske


TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, u ndëshkuan me masë administrative 3.000 lekë, 573 qytetarë që u konstatuan duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Sipas njoftimit të Policisë, uniformat blu kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 573 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 7 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.