PD, Zhupa: 1 vit pas tërmetit, mësim me 4 turne në shkollat e Kombinatit

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ishte sot në shkollën “Shyqyri Peza” në njësinë administrative nr. 6, Kombinat.

“Kombinati ishte një nga zonat më të goditura të Tiranës nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar. Ende sot banorët vuajnë pasojat, duke zhvilluar mësimin me 4 turne në shkollat e Kombinatit. Pasi për shkollat që janë dëmtuar nga tërmeti nuk është bërë asgjë për t’i rregulluar”, u shpreh ajo.

“Nuk është bërë asgjë për të filluar rikonstruksionin e tyre, apo shembjen e tyre nëse do të mendohet e përshtatshme për të ndërtuar të reja. Është lënë një vit pa bërë asgjë”, tha Zhupa.

“Ndërkohë që në po përballemi dhe jemi në mes të një pandemie”, shtoi ajo, “nxënësit janë të detyruar bashkë me prindërit e tyre, të përballojnë mësimin me 4 turne në shkollat ekzistuese të Kombinatit. Duke mos pasur asnjë mundësi për të marrë parasysh dhe zbatuar rregullat që diktohen nga pandemia: si distanca sociale, apo siguria në momentin e daljes apo të hyrjes nga turnet që zhvillojnë mësimin deri në orën 6 mbasdite, në këtë shkollë dhe në shkollat e tjera të Kombinatit”, u shpreh Zhupa. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.