TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura në buxhet nga akciza gjatë periudhës janar-tetor janë realizuar në masën 36 miliardë lekë, 2.7 miliardë lekë ose 7% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019, si dhe 0.2 miliardë lekë ose 0.7% më pak se plani i akcizës për këtë 10-mujor.
Sipas raportit të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ndikim pozitiv të ardhurat nga akciza ka pasur produkti i duhanit në import, me një rritje prej 13 tonë (+19.4%) me një efekt 64 milionë lekë më shumë se 10-mujori i vitit të kaluar, etj.
Produktet e akcizueshme që kishin ndikim negativ janë karburantet e prodhuara në vend, me një rënie prej 58 mijë tonë (-68.7%) krahasuar me një vit më parë, duke sjellë një efekt negativ në akcizë me -2.4 miliardë lekë.
Ministria bën të ditur se deklarimi i prodhimit të duhanit vendas u rrit nga 23 në 33 tonë (+30.3%) gjatë vitit 2020.
Akciza e rimbursuar është 0.5 miliardë lekë ose sa 33% e akcizës së rimbursuar në të njëjtën periudhë në vitin 2019. /r.e/