“Maskat, distanca e higjiena vijojnë të jenë masat më të mira”/ Pipero për ATSH-në: Numrat do të rriten deri në mesin e dhjetorit

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Mjeku i njohur infeksionist Pëllumb Pipero deklaroi sot se e vetmja këshillë specifike që nuk i është hequr asnjë çast ndaj qytetarëve për këtë pandemi që po kalon vendi ynë dhe gjithë bota, është respektimi i masave parandaluese, maskat, distanca dhe higjiena personale.

Në një intervistë për ATSH-në, doktor Pipero, duke folur për masat që duhet të respektojnë qytetarët në këtë fazë të pandemisë theksoi se “zgjidhja vjen duke respektuar masat parandaluese të thjeshta që i kanë në dorë qyetetarët”.

“Këto masa janë përdorimi i maskës, distancës dhe higjiena si dhe respektimi i protokolleve në mjedise të mbyllura. Masat kufizuese, sado të jenë kufizuese mund të lehtësojnë për momentin, por nuk e zgjidhin problemin. Zgjidhja vjen përmes respektimit të masave parandaluese nga ne qytetarët, pastaj nga institucionet, atje ku zhvillohen aktivitetet jetësore ekonomike”, – tha Pipero.

Sipas tij, maska është masa më efektive e mundshme për momentin, e cila duhet përdorur kudo ku është rekomanduar në mjedise të mbyllyra, në ambientet e punës, në zyra, banka, në mjetet e transportit publik, si dhe në ambientin e jashtëm.

Mjeku Pipero i bën apel të gjithë lokaleve, më shumë bareve dhe më pak restoranteve të respektojnë protokollet e numrit të tavolinave, personave që duhet të hyjnë.

“Për baret, ku shkohet më së shumti për të pirë kafe dhe rrihet me orë të tëra, do sugjeroja një orë e më parë të mos kenë tavolina, ai që do të shkojë të pijë kafe, të pijë dhe të largohet, mos të ketë karrige, sepse janë bërë vatra infektimi. Aty është vendi, mjedisi ku më së shumti qarkullon virusi dhe fatmirësisht nuk i sëmur të rinjtë, por i infekton dhe ata bëhen burim qarkullues i këtij virusi”, – tha Pipero.

Lidhur me masat shtesë të marra dje nga Komiteti i Ekspertëve për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Pipero u shpreh se  “masat kufizuese apo parandaluese, qoftë ato të tejskajshme mbyllëse nuk e zgjidhin problemin. Ndoshta është një zgjedhje me efekt të përkohshëm”.

Sipas Piperos, zgjidhja vjen duke respektuar masat parandaluese të thjeshta që i kanë në dorë qytetarët.

Lidhur me mbylljen e shkollës dhe kalimin e mësimit online të tyre, doktor Pipero këshillon se “vazhdoj të mendoj që shkollat të vazhdojnë të jenë të hapura, por duke respektuar masat dhe protokollet parandaluese, të cilat mund të duken të ekzagjeruara, por janë të thjeshta e mjaft efikase nëse respektohen”.

Sa i përket situatës së pandemisë në vendin tonë, doktor Pipero thekson se “ajo nuk bën përjashtim nga ajo kudo në botë, veçanërisht në rajon si Kosova, Maqedonia e Veriut, apo edhe Greqia dhe Italia. Kjo dëshmon se ritmi i transmetimit të virusit këtë kohë për shkak të ekspozimit më të shumtë të qytetarëve për shkak të aktivitetit jetësor, ekonomik, social, kulturor etj., është i shtuar. Kësisoj edhe numrat e pacientëve të infektuar janë shtuar dhe po shtohen çdo ditë. Po ashtu edhe numrat e pacientëve që shtrohen çdo ditë në spital”.

“Llogaritet që ne nëse kemi 500 apo 600 raste pozitive në ditë rreth 10% e tyre kërkojnë kujdes spitalor. Por të paktën mbrëmë në Spitalin Infektiv numri i shtrimeve ka qenë relativisht më i vogël. Besoj se shtimi i numrave të rasteve me këtë ritëm do të jetë deri në gjysmën e dhjetorit, por numrat do të jenë relativisht të shtuar deri në fund të marsit”, – tha ai.

Ndërsa sa i përket përdorimit të antibiotikëve që me shenjat e para të sëmundjes nga qytetarët, doktor Pipero shprehet se “në asnjë mënyrë nuk duhen përdorur pa rekomandimin e mjekut”.

“Maksimumi pa këshillën e mjekut mund të marrin dy-tre ditët e para çaj të ngrohtë, vitamina, një paracetamol, nëse kanë temperaturë mbi 38 gradë”, – sugjeron ai.

Nëse rrezikohet një mbyllje e dytë për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, Pipero tha se “nuk mendoj e besoj që do ketë mbyllje të dytë, unë gjithmonë këmbëngul tek masat e thjeshta parandaluese që janë shumë efektive, por që na mundësojnë të mos kemi një mbyllje të dytë”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.