Lleshaj: Goditja kundër kanabisit në Shkodër, rezultate të mira

TIRANË, 18 nëntor /ATSH – I. Vata/ “Goditja kundër kanabisit në Shkodër, rezultate të mira”, tha sot ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pas analizës me strukturat drejtuese të DVP Shkodër dhe Komisariateve të kësaj Drejtorie.

Në një prononcimi për mediat, pas analizës së zhvilluar me strukturat drejtuese të DVP Shkodër dhe Komisariateve të kësaj Drejtorie, Lleshaj tha se, “konstatojmë me kënaqësi që puna e bërë gjatë këtij viti, për të goditur çdo tentativë kundër kanabisit në Qarkun e Shkodrës, ka dhënë rezultate shumë të mira. Ashtu si në gjithë Shqipërinë, edhe në Shkodër është goditur fort në të gjitha skajet, sepse tashmë kanabisi ka mbërritur në skajet më të larta të territorit të vendit, si në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë. Në parcela të vogla, tentativa të shkëputura por gjithsesi angazhimi ynë është për ta goditur në vijueshmëri”.

Po ashtu, Lleshaj shton se, “analiza e sotme nuk ishte thjesht analiza e vitit 2020, por ishte edhe fillimi i operacionit për vitin 2021, operacion, i cili do të synojë ta konsolidojë më tej suksesin e arritur dhe ta zhbëjë përfundimisht kanabisin nga historia e angazhimeve tona”.

Në lidhje me pyetjen përsa i përket masave antikanabis, Lleshaj tha se, “sigurisht që masat merren atëherë kur konstatimi bëhet dhe konstatohet njëkohësisht që drejtuesit janë jashtë dijenisë. Në qoftë se konstatimet dhe goditjet bëhen nga vetë strukturat, atëherë nuk ka vend për goditje, sepse ne nuk mund të godasim një drejtues, i cili godet fenomenin e kanabisit. Kur kemi pasur konstatime nga lart, pra kur Drejtoria Qendrore ka arritur të konstatojë gjëra që në nivelin vendor nuk kanë qenë të njohura, atëherë ka pasur masa edhe për drejtues të strukturave vendore. Besoj ju keni dijeni për këtë, edhe për Qarkun e Shkodrës konkretisht.”

Pyetjes se si mund të verifikohet që drejtues të policisë nuk e njohin territorin pëllëmbë për pëllëmbë, Lleshaj tha se, “në qoftë se konstatimi bëhet nga lart, pra në qoftë se strukturat eprore gjejnë bimë narkotike në territor, të panjohur nga strukturat vendore, atëherë strukturat vendore mbajnë përgjegjësi për këtë. Dhe kjo është aplikuar dhe do të aplikohet në të gjithë vendin, edhe në vijim”.

Mbi shifrat e sipërfaqeve të kultivuara Lleshaj theksoi se, “ka pasur shifra dhe ne publikojmë, në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, i shihni shifrat në mënyrë ritmike, periodike, për arsye se ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Sivjet, në nivel të përgjithshëm, në territorin e Shqipërisë, ka pasur dy gjëra që vlejnë për vëmendjen tuaj: e para, ka pasur një intensitet të lartë të kontrollit për arsye se Policia ka pasur më shumë kapacitete në dispozicion për të kontrolluar territorin, më shumë mjete, logjistikë shumë të madhe, më shumë orë fluturimi nga misionet e monitorimit ajror, qoftë të huaja, qoftë të vendit, ka pasur më shumë një flotë të madhe dronesh në përdorim, pra ka pasur shumë kapacitete dhe shumë angazhim, e për rrjedhojë sivjet janë gjetur dhe asgjësuar më shumë bimë narkotike, sesa vitin që shkoi.Kjo nuk do të thotë që sivjet është kultivuar më shumë, por sivjet është goditur më shumë. Pse? Sepse ne shohim një tregues tjetër që e provon këtë. Se pyetja shtrohet a ka më shumë kanabis në treg sivjet nga një vit më parë? Ne themi jo, për arsye se destinacionet e kanabisit me origjinë nga Shqipëria që janë Italia, Greqia dhe Mali i Zi kanë provuar se në vitin 2020, sasia e sekuestruar në këto vende është shumë herë më e ulët sesa sasia e sekuestruar në vitin 2019. Nuk po flas për vitet e mëparshme”.

Po ashtu, Lleshaj shton se, “sivjet në Itali janë sekuestruar deri tani, vetëm 911 kg kanabis nga Shqipëria, ndërkohë, që në këtë vend, në vitet e shkuara janë kapur tonelata e tonelata të tëra. Do të thotë që prodhimi ka rënë në mënyrë të ndjeshme dhe një tregues tjetër që provon këtë është edhe çmimi i kësaj lënde narkotike në tregun e zi, i cili ka arritur në nivele stratosferike, krahasuar me historinë”.

Në lidhje me pyetjen se a ka bashkëpunimi me prokurorinë dhe organet e tjera ligjzbatuese, Lleshaj tha se “bashkëpunimi mes Policisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese, specifikisht me Prokurorinë, ka njohur një përmirësim të jashtëzakonshëm. Sidomos arkitektura e re e sistemit të drejtësisë, krijimi i Prokurorisë së Posaçme, ka bërë që niveli i bashkëpunimit midis Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë në tërësi, dhe Prokurorisë së Posaçme në veçanti, të njohë rritje të madhe, dhe prapa këtij bashkëpunimi qëndrojnë edhe disa nga sukseset kryesore që janë arritur në periudhën për të cilën ne flasim”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.