Ligjet rrëzojnë dekretin e Presidentit “Për gjendjen civile”/ Blushi: Qëllimi, deformimi i listave të zgjedhësve

TIRANË, 18 nëntor /ATSH – I. Vata/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut rrëzoi dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit “Për gjendjen civile”.

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dekretin presidencial për kthimin e ligjit “Për gjendjen civile” për rishqyrtim në Kuvend, si dhe projektligjin “Për prokurimin publik”.

Fillimisht u shqyrtua dekreti i Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr. 130/2020 “Për një ndryshim në ligjin “Për gjendjen civile” të ndryshuar”, ku të ftuar ishin Bledar Dervishaj, këshilltar i Presidentit për Çështjet Ligjore dhe Katrin Treska, drejtore e përgjithshme e Shërbimeve Juridike në Presidencë.

Dervishaj parashtroi argumentet e Presidentit për mosdekretimin e ligjit, ku mes të tjerash u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka zgjedhur mënyrën më të mirë dhe të balancuar përkundrejt interesit publik, për të materializuar arritjen e qëllimit që synon të arrijë përmes kësaj ndërhyrjeje legjislative.

“Një ndryshim i tillë në një fazë të tillë të procesit parazgjedhor ka potencialin për të krijuar kaos edhe në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vetë procesit zgjedhor në tërësi”, u shpreh Dervishaj.

Deputetja Vasilika Hysi gjatë relatimit u shpreh se argumentet e sjella nga Presidentit nuk qëndrojnë dhe nuk kanë karakter ligjor dhe kushtetues, por janë më së shumti argumente që lidhen me situatën politike.

“Ligji kthehet për rishqyrtim kur përmbajtja e tij bie ndesh me Kushtetutën, pra unë vlerësoj se të gjitha argumentet duhet të jenë ligjorë, duhet të jenë kushtetues, por aspak politikë”, theksoi Hysi, duke sqaruar më tej se nuk është në tagrin e Presidentit të Republikës që të vlerësojë vullnetin e ligjbërësit dhe mekanizmin që zgjedh për sa kohë që ky mekanizëm është në përputhje me Kushtetutën dhe me procedurën parlamentare.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni votoi për rrëzimin e dekretit Presidencial dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës. Rendi i ditës së komisionit vijoi me shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për prokurimin publik”, i cili u relatua nga deputetja Klotilda Bushka.

Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin: Reida Kashta, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik.

Pas pyetjeve, diskutimeve dhe sugjerimeve për riformulimin e disa neneve të caktuara, komisioni shqyrtoi dhe miratoi një pjesë të neneve të projektligjit, për të vijuar shqyrtimin në tërësi në mbledhjen e radhës.

Mbi rrëzimin nga Ligjet të dekretit të Presidentit për “Për gjendjen civile” ka reaguar zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi i cili ka theksuar se Komisioni i Ligjeve ka kohë që e ka humbur qetësinë.

”Komisioni i Ligjeve ka kohë, që shfaq shenja të humbjes së qetësisë dhe durimit, ndërsa sot nën presionin politik, humbi dhe grimcat e fundit të etikës dhe profesionalizmit, që duhet të tregojë, kur me votat e tij cakton ligjet e këtij vendi”, tha Blushi.

“U duk qartë që Komisioni i Ligjeve nuk donte të humbiste asnjë minutë kohë për të përmbushur qëllimin politik të Rilindjes për deformimin e listave të zgjedhësve dhe shtrembërimin e votës së lirë. Ligji, që Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend, nuk synon heqjen e gjobave për shtetasit, të cilët nuk deklarojnë banesën, por synon të krijojë hapësirë për deformimin në çdo kohë të listave të zgjedhësve dhe shpërndarjes së mandateve në çdo qark”, shprehet Blushi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.