Librazhd/ Tableta dixhitale për nxënësit e Polisit, në 2021-in nis rikonstruksioni i shkollës

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ishte sot në shkollën e mesme të bashkuar “Muhedin Sherifi” në Polis të Librazhdit, ku shpërndau tableta dixhitale për nxënësit si dhe garantoi se me buxhetin e vitit 2021 kjo shkollë do t’i shtohet listës së 120 shkollave në gjithë vendin që rikonstruktohen.

Bashkë me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kryetarin e bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra, Kushi pa nga afër ambientet e kësaj shkolle.

Kushi tha se “në buxhetin e vitit 2021 pjesë e kantierit Rilindjes do të jetë edhe Shkolla e Mesme e Përgjithshme Polis, që do të jetë gati për vitin e ardhshëm shkollor”.

“Që në ditën e parë të këtij viti shkollor një nga objektivat tanë më të rëndësishëm është tu gjende’mi pranë nxënësve të klasave kolektive. Sot jemi këtu në shkollën e bashkuar Polis-Gostimë për të shpërndarë disa tableta dixhitale për nxënës të klasave kolektive që në këtë situatë pandemie vështirësitë i kanë më të mëdha se nxënësit e klasave normale”, tha Kushi.

Ajo theksoi se “falë edhe partnerëve e donatorëve ne kemi garantuar jo vetëm këtu, por në gjithë Shqipërinë tableta dixhitale për nxënësit e klasave kolektive që t’i përforcojnë sa më shumë njohuritë e tyre edhe përmes platformës falas online që është Akademi.al”.

“Masat në këtë shkollë respektohen më së miri. Për fat të mirë nuk ka raste të infektuarish tek nxënësit. Shpresoj që ne të jemi gjithmonë në skenarin e parë të zhvillimit të mësimit në bankat e shkollës”, tha ministrja.

Ndërsa deputeti Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra vunë theksin në nevojën që kjo shkollë ka për rikonstruksion.

“Deri tani janë rikonstruktuar shkollat me numër më të madh nxënësish ndërsa tashmë ka ardhur radha edhe e kësaj shkolle. Një vit më parë në Polis u investua në rikonstruksionin e rrugës dhe vitin e ardhshëm do të investohet në këtë shkollë. Tashmë shkollat rikonstruktohen me standarde të njëjta në të gjithë vendin, qytet e fshat. Edhe kjo shkollë do të ketë të gjitha kushtet për të garantuar një zhvillim mësimi normal”, tha Balla. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.