TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Përgjegjëse e sektorit të vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik, Erida Nelaj deklaroi sot se qeveria shqiptare është e përgatitur për të shpërndarë vaksinën e COVID-19.
Gjatë një interviste në medie, Nelaj tha se ne e kemi të gatshëm programin e vaksinimit, pasi kemi kryer edhe më herët fushata vaksinimi, si ajo e vitit 2 000 apo ajo e poliomelitit.
“Përveç planeve madhore do të ketë edhe mikroplane për çdo bashki, ku do të evidentohen fillimisht të sëmurët klinik e kategori të tjera që janë më të riskuarat”, tha ajo.
Nelaj u shpreh se Shqipëria është pjesë e COVAX, që është një mekanizëm prokurimi, pasi nuk mund të jesh i vetëm për të siguruar vaksinën.
“Kemi shprehur interes dhe e kemi paguar fondin e përcaktuar për vaksinat e COVAX. Presim të merret vendimi përsa i përket sigurisë dhe ne do t’i sigurojmë këto vaksina nëpërmjet COVAX”, deklaroi Nelaj.
Përfaqësuesja e ISHP-së siguroi se vaksina do të jetë falas për të gjithë popullatën./a.gjonaj//a.a/