Investimet në Kuçovë/ Përmirësohen kushtet për banorët e zonave rurale

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Investimet në objektet arsimore, ujësjellës, qendra shëndetësore dhe rrugë po transformojnë çdo ditë jetën e komuniteteve në zonat rurale të Kuçovës.
Deputetja e Partisë Socialiste në qarkun e Beratit, Ermonela Felaj, u ndal sot te disa prej investimeve që po realizohen dhe pritet të përmirësojnë ndjeshëm kushtet për banorët.
“Shkolla e Vodëzës është në rikonstruksion e sipër. Punimet për ujësjellësin në periferi vijojnë pa shkëputje. Rehabilitimi i vendgrumbullimit të mbetjeve urbane në Rreth Tapi po shkon shumë mirë”, u shpreh ajo.
Felaj theksoi se paralel me këto investime po kryhet edhe rikonstruksioni i 39 banesave të familjeve në nevojë, në fshatra dhe në qytet.
“Një tjetër punë e jona e rëndësishme, po ndodh. Sigurimi i zbatimit të projekteve më të rëndësishme, siç janë infrastruktura rrugore në hyrje të qytetit, ajo që lidh me Tiranën nëpërmjet Belshit, me Urën Vajgurore dhe Beratin, në dy lagjet kryesore, 1 Maji dhe Kuçovë e Vjetër. Së shpejti fillon puna në lagjen ‘Llukan Prifti’, investimi për ujin e pijshëm, së bashku me atë të disa objekteve shkollore si gjimnazi, shkolla ’18 Tetori’, ’28 Nëntori’ dhe qendrat shëndetësore Kozare, ajo e lagjes ‘1 Maji’, ’11 Janari’ dhe ‘Tafil Skëndo’ etj., po na lejojnë gjithnjë e më shumë frymëmarrje që të përgjigjemi paralelisht me investime publike edhe në fshatra”, tha Felaj.
Aktualisht ajo tha se po punohet në shkollën në Vodëz, shkollën dhe kopshtin në Tapi, ujësjellësin Lumas, rikonstruksionin e  rrugës Magjatë.
“Të qenit korrekt në raportin me qytetarët, kjo është deviza jonë dhe pikënisja njëkohësisht për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme”, tha Felaj.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.