Gjermania merr kryesinë e KiE/ Sfida të rëndësishme, forcim i sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në epokën dixhitale

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Shefja e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, Jutta Gützkow deklaroi sot se, përpjekjet tona të përbashkëta në reformimin e gjyqësorit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë e vetmja rrugë për realizimin e idealit të demokratik dhe prosperitetit të Shqipërisë dhe popullit të saj.

Gjermania mori sot  nga Greqia kryesinë gjashtëmujore të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.

Në këtë kuadër ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka publikuar një video ku shefja e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, Jutta Gützkow, ambasadorja greke në Shqipëri, Sophia Philippidou dhe ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf flasin mbi të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në shekullin e 21 dhe nën kushtet e pandemisë së Covid-19.

“Shqipëria iu bashkua Këshillit të Europës 25 vjet më parë. Duke ardhur nga një izolim i gjatë komunist, me një popullsi shumë të re dhe idealin europian në zemër ajo arriti një transformim të thellë dhe dinamik demokratik”. Ndërsa organizata feston në 2020-ën 70 vjetorin e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, lidershipi i saj po përballet me një krizë shëndetësore të paparë. Sfidat e sotme globale ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut kërkojnë angazhim më të fortë nga Shqipëria dhe të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës, drejt unitetit dhe solidaritetit në Europë”, thuhet në video.

Ambasadorja greke në Shqipëri, Sophia Philippidou, u shpreh se, “Pandemia COVID-19 u vendos në krye të Kryesisë greke të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, prej majit deri në nëntor të këtij viti. Ndërsa mbrojtja e jetës dhe e shëndetit publik kanë qenë shpesh herë parësore mbi aktivitetin ekonomik, vlerat tona themelore europiane, demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit duhet të ruhen dhe të respektohen. Këto parime u përfshinë në Deklaratën e Athinës për përgjigje efektive ndaj një krize të shëndetit publik, në respektimin e plotë të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

“Masat e jashtëzakonshme nuk mund të jenë në dëm të vlerave tona thelbësore. Kjo është edhe më e rëndësishme teksa festojmë 70-vjetorin e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, theksoi ajo.

Gjithashtu shtoi ambasadorja Philippidou, “gjatë kryesisë greke u ngrit Observatori për mësimin e historisë e vendosur në Ministerialin e Parisit, me qëllim që të formonte një vetëdije kolektive europiane”.

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, theksoi se, “sot, Gjermania po merr kryesimin e Këshillit të Europës dhe, ashtu si Greqia po e marrim atë në kohë të vështira. Sidoqoftë ne duam të përdorim 6 muajt e ardhshëm për të trajtuar sfida të rëndësishme për të ardhmen. Përshembull, si mund të sigurojmë që sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut mund të forcohen në epokën dixhitale, veçanërisht në lidhje me përdorimin e teknologjive të reja. Këto janë sfida që nuk njohin kufij dhe janë gjithnjë e më të rëndësishme në vende, institucionet e sundimit të ligjit të së cilave, po kalojnë reforma”.

“Kam shumë shpresë në brezin e ri, i cili duhet të përfshihet me vendosmëri në trajtimin e këtyre sfidave. Edhe kjo do të jetë një fokus i kryesisë sonë. Mezi pres të punoj me ju këtu në Shqipëri, me institucionet, shoqërinë civile dhe sigurisht Këshillin e Europës prezent këtu në Tiranë”, tha Zingraf.

Shefja e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, Jutta Gützkow nënvizoi se, “në këto kohë sfidash, kur qeveritë janë të detyruara të marrin masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetarët e tyre, udhëheqja e fortë dhe demokratike e vendeve anëtare të Këshillit të Europës është garanci për ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe të solidaritetit në Europë”.

“Kam besim se përpjekjet tona të përbashkëta në reformimin e gjyqësorit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, promovimin e barazisë dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri, janë e vetmja rrugë për realizimin e idealit demokratik dhe prosperitetit të Shqipërisë dhe popullit të saj. Së bashku mund t’ja arrijmë”, tha Gützkow. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.