COVID-19/ Spiropali: Kryeministri i Gërdecit, i panikosur nga humbja e afërt e vetes dhe e zhganit që e rrethon, sikur flet nga ndonjë planet tjetër

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ “Doktori i falimentuar po flet përçart për kontrollin e pandemisë, spitalet, vdekjet, shtrimet, statistikat, testet, masat parandaluese. S’di se ç’flet. Ka rënë në delir të thellë. Ka humbur çdo vetëkontroll dhe çdo lidhje me realitetin”, deklaroi sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali.

Në reagim të akuzave të ish-kryeministrit Berisha, ministrja Spiropali thekson se “kryeministri i Gërdecit, i panikosur nga humbja e afërt e vetes dhe e zhganit që e rrethon, sikur flet nga ndonjë planet tjetër”.

“Vrasësi i 21 Janarit po e ngatërron Aritmetikën më keq se pupaci i vet. Don Kishotin e Tranzicionit e kanë lënë ment’ e kokës. Frikacaku i pashërueshëm s’po sheh nga sytë, s’po dëgjon nga veshët. Mos u merrni me humbësin e çakërdisur. Mbani maskën. Ruani distancë. Së bashku do fitojmë”, shprehet ministrja.

Gjatë një interviste televizive, ish-kryeministri Berisha tha se situata nga pandemia ka dalë jashtë kontrollit. “Tabloja e të dhënave të pandemisë në Shqipëri është më e jashtëzakonshmja që mund të jetë. Kjo tablo nuk ekziston në asnjë vend të planetit. Kjo është rezultante e piramidës dhe falsifikimeve e vjedhjeve në menaxhimin e kësaj pandemia”, tha ai. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.