COVID-19/ Specialistja e ISHP-së: Antibiotikët dhe bombola e oksigjenit nuk janë të rekomandueshëm në shtëpi, qytetarët t’i drejtohen mjekut të familjes

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Specialistja pranë ISHP-së, Genta Qirjako thekson se nëse qytetarët do të zbatojnë masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, bëhet e mundur ulja e pikut nga ky infeksion.

Ajo shprehet se të rinjtë janë mosha e cila ruhet më pak, ndërsa të moshuarit janë më të kujdesshëm.

Specialistja e ISHP-së apelon që qytetarët të kontaktojnë mjekun e familjes, pasi mjeku i familjes është ai që përcakton nëse ka nevojë për trajtim më të specializuar apo që mund të trajtohet edhe nga vetë ai.

Sa i përket trajtimit në shtëpi të të prekurve nga infeksioni COVID-19, Qirjako apelon që nuk duhet përdorur oksigjeni prej tyre në banesë.

“Nëse një pacient shfaq probleme të rënduara shëndetësore, absolutisht nuk duhet përdorur oksigjeni në shtëpi, por do të keni nevojë për shtrim në spital”, shprehet specialistja.

Për sa i përket mjekimit në shtëpi, Qirjako, thekson se “duke qenë se ky është infeksion viral, nuk duhet të kurohen direkt me antibiotikë. Nuk ka asnjë lloj vlere fillimi menjëherë i antibiotikëve, sepse ky është një infeksion viral”.

“Trajtimet me antibiotik sugjerohen nga mjekët dhe kur kemi shfaqjen e një virusi bakterial. Shumë të prekur mund ta kalojnë vetëm me antigripalë, vitamina dhe lëngje të shumtë”, tha Qirjako. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.