COVID-19/ Prokuroria e Përgjithshme pezullon procedurën për kandidatë në KLP

TIRANË, 18 nëntor /ATSH – I. Vata/ Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka pezulluar procedurën për kandidatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për shkak të pandemisë dhe masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë.

Lajmi bëhet i ditur nga njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme ku theksohet se, “se Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela nisur nga vijueshmëria e gjendjes së epidemisë në vend të krijuar nga përhapja e COVID-19, në zbatim të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Urdhrit të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, ka vendosur pezullimin e procedurës së shprehjes së interesit për kandidatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, shpallur në datë 13.11.2020, deri në një njoftim të dytë”.

Prokurori i Përgjithshëm çmon se shmangja e grumbullimeve të këtij lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, është e vetmja garanci për kufizimin e përhapjes së infeksionit dhe siguron mbrojtjen e shëndetit të prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore, punonjësve të administratës dhe të qytetarëve. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.