Buxheti 2021/ Spahiu: I dedikuar për shëndetësinë dhe rindërtimin

TIRANË, 18 nëntor /ATSH – I. Vata/ “Laboratorët privatë në vendin tonë kanë bërë një marrëveshje për të reduktuar vlerën e tamponit me 30%”, tha sot deputetja e PS-së Klodiana Spahiu gjatë një interviste televizive, ndërsa theksoi se buxheti 2021 është dedikuar për shëndetësinë dhe rindërtimi.

Në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga qeveria, Spahiu tha se në këtë përballje me këtë pandemi që ndodh shumë rrallë, mesazhi që duhet të japim është mesazhi i mbështetjes dhe mesazhi pozitiv në një ngjarje kaq të rrallë dhe të vështirë që po e tregon e gjithë bota sa e vështirë është për t’u përballuar.

“Janë shifra të përditësuara që ne i njohim nga vendet e rajonit dhe të Europës që tregojnë se situata është shumë e rënduar, sidomos situata spitalore dhe në reanimacione, ku është shtuar numri i të sëmurëve, pra tregon se ky virus po prek tashmë edhe mosha të reja dhe kemi parë vende dhe shtete që kanë një buxhet shumë të lartë, siç është Zvicra, po përballen me vështirësi të jashtëzakonshme për të përballuar këtë pandemi nëpër spitale. Padyshim çështja e parave dhe e buxhetit është e domosdoshme, por do të shtoja se  menaxhimi shumë i kujdesshëm dhe ndjekja në çdo hap dhe programimi i çdo shtylle është e rëndësishme. Këto janë hallka të një zinxhiri që pasojnë njëra-tjetrën”, tha ajo.

Në lidhje me propozimet e PD-së për më shumë testime, Spahiu tha se këto janë hallka të një zinxhiri.

“Nëse para disa muaj kemi bërë 500 testime në ditë, tashmë e kemi 4 apo 5-fishuar dhe sot morëm dhe një lajm të mirë që privati ka vendosur në mënyrë unanime që ta uli çmimin në 30% për tamponin dhe kjo është një ndihmë për ata qytetarë që i drejtohen privatit për shpejtësi. Sot bëjmë më shumë testime, por në këtë periudhë kohore nga ku bënim 500, sot 2600 ne na është dashur të forcojmë hallkat e tjera dhe besoj se buxheti i viti 2021, por edhe buxheti 2020 pati shtesa shumë të rëndësishme për të përballuar jo vetëm pjesën e testimeve të gjurmimit dhe të izolimit, por për të marrë të gjitha masat për të përballuar situatën spitalore, për të forcuar Qendrën Kombëtare të Urgjencës dhe për të menduar në hapa të rëndësishme siç është paketa e financimit për të sëmurët në gjendje të lehtë dhe në gjendje të moderuar”.

Spahiu tha se ne kemi kaluar dy vështirësi shumë të mëdha brenda një viti të cilat as nuk i kishim menduar dhe as dëshiruar të vinin ndonjëherë.

“Pra, ky buxhet i viti 2021 është buxhet jo vetëm i pandemisë, por dhe i rindërtimit. Shëndetësia si asnjëherë tjetër dhe për shkak për të përballuar situatën, dhe për të parashikuar atë, është më i lartë se ndonjëherë. Pra ky buxhet është i dedikuar për shëndetësinë dhe rindërtimin”, tha ajo. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.