Braçe: Nuk ju shpëton Basha, as dordomuzët e tij publik, ju shpëtojnë mjekët

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ “Mjekët ndihmohen duke mbajtur maskën kudo, distancën e higjenën, duke kufizuar kontaktet hë grumbullime, kafe, klube, restorante, festa apo mbledhje politike e partiake”, apelon zv.kryeministri Erion Braçe, një ditë pasi Komiteti Teknik i Ekspertëve mori masa shtesë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Braçe thekson se “nuk ju shpëton Lulzim Basha, as dordomuzët e tij publikë. Ju shpëtojnë mjekët”.

Zv.kryeministri sjell në vëmendje kontributin dhe sakrificën e mjekut Krenar Lila i cili së bashku me mjekë të tjerë prej muajsh po përballen në vijën e parë me pandeminë në QSUT. Mjeku Lila është shprehur se koha e dhënies së këshillave ka mbaruar dhe tani jemi në kohën e marrjen së masave. Ai ka theksuar se nëse rastet e infektimit me COVID-19 vijojnë të rriten siç po ndodh ditët e fundit, atëherë vendi do të jetë i detyruar që të shtrëngojë masat antiCOVID dhe kufizimet e tjera.

“Doktor Krenar Lilaj është edhe mjeku yt, patjetër edhe i imi. Unë jam krenar për atë që është, për atë që ai bën vetë, por edhe me çdo mjek tjetër reanimator. Ai dhe ata po rezistojnë fizikisht, psikologjikisht dhe profesionalisht. Po shkojnë në limite me atë që shohin që ndjejnë, që durojnë, që bëjnë çdo ditë e për gjithkënd që është i sëmurë. Tani, do vdisni të dëgjoni Lulzim Bashën e dordomuzët e tij publik që kanë vite pa vizituar një të sëmurë, për pasojë do viheni kundër mjekëve që shpëtojnë jetë, apo do dëgjoni mjekët, do ndihmoni veten dhe mjekët gjithashtu”, shprehet Braçe, duke shtuar se mjekët nuk ndihmohen me duartrokitje.

“Nuk besoj se të shkatërrohet jeta po vure maskën, po nuk u puthe e përqafove, po nuk lave duart sa herë prek në publik sipërfaqe të dyshuara të infektuara, po nuk ndenje në kafe një orë apo po u ushqeve e pive në shtëpi me njerëzit e tu familjarët. Krenar Lilaj e mjekët bashkë me të, po rrezikojnë, edhe jetën, por po rezistojnë. Rezisto edhe ti pa rrezikuar jetën, familjen, mjekët gjithashtu”, apelon Braçe.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.