Vakanca në Gjykatën e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor kualifikon kandidatin Darjel Sina

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Juristi Darjel Sina do të vijojë procedurat për t’u emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor u shpreh sot se “në përfundim të procedurave të verifikimit të thelluar të kushteve dhe kritereve ligjore, pasurisë dhe figurës, të kandidatit të katërt për gjyqtar në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, Darjel Sina, Këshilli vendosi kualifikimin e tij si dhe vijimin e procedurave të emërimit në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, pas kryerjes së verifikimit të plotë të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatit Eriol Roshi dhe vijimin e procedurave të emërimit në Gjykatën Administrative të Apelit”.

Vakanca në Gjykatën e Lartë erdhi pas shkarkimit të Xhezair Zaganjorit për shkak të Vetingut. Me emërimin e juristit Sina në Gjykatën e lartë, do shkojë katër numri i anëtarëve të kësaj gjykate. Darjel Sina që aktualisht shërben si Komisioner Publik, ishte i vetmi kandidat në garë për vakancën e hapur në Gjykatën e Lartë. Mësohet se 9 anëtarë votuan për Darjel Sinën, ndërsa munguan Fatmira Luli dhe Alban Toro që kanë dhënë dorëheqje më parë nga kjo çështje për shkak të konfliktit të interesit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.