KANADA – Kalohet pragu i 300 000 rasteve me COVID-19

MONTREAL, 17 nëntor /ATSH-AFP/ – Kanadaja, mes valës së dytë të pandemisë së COVID-19, kaloi pragun e 300 000 rasteve dhe 11 000 të vdekurve, sipas shifrave zyrtare.

Kanadaja ka regjistruar 301 332 infektime që prej fillimit të pandemisë në vend, në mes të marsit dhe 11 007 të vdekur, sipas shifrave të raportuara nga stacionet televizive  Radio-Canada dhe CTV.

Një vend me 38 milionë banorë, Kanadasë iu desh më pak se një muaj për të kaluar nga 200 000 në 300 000 raste të kontaminuara me COVID-19, ndërsa u deshën tre muaj pas fillimit të pandemisë që ajo të kalonte pragun e 100 000 infektimeve.

Dy provincat më të populluara të vendit, Ontario dhe Kebeku, kishin përkatësisht më shumë se 95 000 dhe 125 000 raste, dhe secila regjistroi më shumë se një mijë në ditë.

Në Kebek, vala e dytë e epidemisë ka sjellë në pjesën më të madhe të provincës mbylljen e bareve, restoranteve, muzeve në kuadër të masave të miratuara së fundi nga Ontario.

Në javën e fundit, Kanadaja ka regjistruar çdo ditë rreth 4 348 raste të reja pozitive me koronavirus dhe 55 të vdekur, shifra në rritje që prej shatorit me ftohjen e motit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.