TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame u ndal në Tepelenë, nga ku deklaroi se sfidë mbetet procesi i certifikimit i tokës bujqësore në të gjithë vendin.
Në takimin e zhvilluar në Tepelenë, të pranishëm ishin edhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi si dhe deputetja e PS-së, Mirela Kumbaro.
“Është turp për shtetin shqiptar që pasi jua dha tokën nuk jua regjistroi dot”, tha Lame duke e shtuar si sfidë jo vetëm për Kadastrën por edhe tek sektorët e tjerë që lidhen me investimet.
Sa i takon regjistrimit të tokave, Lame tha se do të ketë një komunikim me qeverinë nëse mund të shtyhet afati i aplikimeve që ishte parashikuar deri në 7 nëntor.
Ministri Çuçi dhe deputetja Kumbaro e vunë theksin tek investimet në këtë zonë jo vetëm në bujqësi por edhe në turizëm.
Kryetari i bashkisë, Tërmet Peçi vlerësoi faktin e ngritjes së shërbimit të kadastrës Tepelenë nga zyrë në drejtori rajonale, gjë e cila afron më shumë pranë qytetarëve shërbimet kadastrale si edhe përshpejton procesin e legalizimeve./a.gjonaj/j.p/r.e/
