“Kriminale t’u thuash qytetarëve që spitalet janë në kolaps”/ Rama: Mund të kishte ndodhur si në vende të tjera, por nuk është ky realiteti

TIRANË, 16 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot qytetarët që të marrin sa më shumë informacion për COVID dhe të përdorin maskën e trurit për ta mbrojtur atë nga toksinat që përhapen në mënyrë intensive bashkë me dezinformimin, lajmet e rreme, fabrikimet, sajesat e shpifjet.

“Fatkeqësisht në këtë luftë Shqipëria ka një specifikë që zor shumë ta ndeshësh në ndonjë vend tjetër. Nuk e kam parë në ndonjë vend tjetër. Ka një një nga opozitat, ajo jashtëparlamentare, që për fat të keq edhe një herë në 100 vjet kur bie një sëmundje mbi tërë botën dhe prek edhe popullin e Shqipërisë, nuk gjen arsye dhe forcë morale për t’u bashkuar me shumicën, jo me qeverinë, dhe për të luajtur një rol njerëzor dhe konstruktiv. Jo duke hequr dorë nag kritikat e detyra për ta nxitur qeverinë në drejtimin e duhur, por duke mos bërë krimin e dezinformimit dhe fabrikimit të një realiteti që nuk është realiteti i sotëm i spitaleve tona dhe sistemit tonë të mbrojtjes përballë këtij armiku të padukshëm”, tha Rama nga foltorja e Kuvendit.

Kryeministri tha se “është vërtetë kriminale t’u thuash qytetarëve që spitalet janë në kolaps”.

“Mund të ishin, por nuk janë. Mund të ishin si janë në shumë shtete më të fuqishme të botës që të sëmurët dergjen dyshemeve, por nuk është e vërtetë. Mund të kishte ndodhur, siç ka ndodhur në spitale të Lombardisë, që të sëmurët janë akomoduar në korridore, por nuk ka ndodhur. Nuk është e vërtetë që mungojnë ilaçet. Protokollet mjekësore në spitalet tona COVID janë të njëjtat me ato në Francë, Turqi, Gjermani e me radhë. Thonë deri tek absurditete se njerëzit në spitalet e Shqipërisë hidhen nga ballkoni se bën zhurmë të padurueshme sistemi i oksigjenimit. Sot përsëri kishin shkruar se ka një zhurmë të barabartë me ngritjen e avionit”, tha Rama, ndërsa theksoi se “aparaturat e oksigjenit janë moderne, njëlloj si kudo në botë”.

Rama tha se “opozita krijon ankth, pasiguri, siç krijon një ide komplet të shtrembëruar, propagandon se vetëm këtu kanë ndodhur vetëvrasje”.

“Në radhë të parë nuk është e vërtetë. Të vetëvrarë në spitale ka pasur edhe në vende të tjera, por në asnjë vend tjetër nuk është hedhur përpjetë asnjë opozitë për t’ia faturuar këto fatkeqësi të mëdha qeverisë. Ashtu sikundër personeli shëndetësor i spitalit të Liezhit në Belgjikë, edhe pse i prekur me COVID u urdhërua të vazhdojë punën në spitalin COVID, për shkak të shterimit të burimeve njerëzore e kapaciteteve me mjekë e infermierë”, tha Rama.

“Thonë që shkojnë qeveritarët në Turqi. Nuk është e vërtetë. Ne nuk ndalojmë njeri të shkoj, por asnjë qeveritar nuk ka shkuar në Turqi. Dhe janë disa që e kanë kaluar apo po e kalojnë COVID-in nga ministrat tanë. Ne nuk shkojmë në Turqi jo se në spitalet e tjera të Europës nuk ka shërbime shumë më të specializuar kur vjen puna për sëmundje të veçanta, por sepse në këtë rast, me këtë sëmundje nuk ka asgjë jashtë Shqipërisë që nuk është në Shqipëri. As ndonjë protokoll mjekësor, aparaturë të veçantë që ne nuk e kemi, staf mjekësh dhe as ndonjë Komitet Shkencor që ka thënë apo bërë ndonjë gjë që Komiteti ynë nuk e ka bërë”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.