Vokshi: Mosmarrja e masave po shndërron shkollat në vatra të rrezikshme infeksioni

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi reagoi sot për situatën e COVID në shkolla, ndërsa u shpreh se “mosmarrja e masave po shndërron shkollat në vatra të rrezikshme infeksioni”.

Sipas saj, “10 mësues humbën jetën nga COVID, me qindra e mijëra mësues dhe nxënës të karantinuar, por qeveria nuk siguron as kushtet minimale në shkolla”.

“Vetëm 2 ditën e fundit, të tjerë mësues kanë humbur betejën me virusin COVID 19. Qeveria ende nuk ka marrë asnjë masë reale për mbrojtjen minimale të mësuesve dhe nxënësve në shkolla. Janë 10 mësues që nga fillimi i vitit shkollor që janë ndarë nga jeta pikërisht për shkak të COVID19, por ata janë trajtuar vetëm si statistika nga qeveria. PD shpreh keqardhjen per humbjen e jetëve të shtrenjta të mësuesve dhe ngushëllon familjet, kolegët e të afërmit”, tha Vokshi.

Ajo theksoi se “situata në shkolla është alarmante dhe jashtë çdo kontrolli”.

Vokshi kërkoi testim masiv e periodik të mësuesve dhe personelit ndihmës në shkolla, hetim epidemiologjik te nxënësit e familjet e tyre në mënyrë që të shkëputet zinxhiri i infeksionit.

“Pajisjen me maska mbrojtëse, dezinfektant, alkool, termometër dhe dezinfektim të rregullt të ambienteve mësimore. Mbylljen e shkollave që nuk plotësojnë asnjë kusht higjieno – sanitar e sigurimi i ambienteve të tjera të përshtatshme. Kontraktimi i mësuesve shtesë që të lehtësohet ngarkesa mësimore e mësuesve që japin 2-3-4 turne. Pagesë të plotë për të gjitha ores shtesë si dhe paketë mbështetëse për mësuesit: shpërblime mujore 100-150 Euro (në Kosove janë dhënë shpërblime 150 – 300 Euro në muaj)”, tha Vokshi. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.