Koalicioni opozitar/Shehi për ATSH: Me dy lista në zgjedhjet e 25 prillit

TIRANË, 14 nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ -Kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi deklaroi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, së shpejti do të vendoset për koalicionin opozitar dhe se mendohet se do të dilet me dy lista.

Ai u shpreh se beson se brenda nëntorit do të arrihet një marrëveshje mes LZHK dhe PD-së sa i përket koalicionit në zgjedhjet e 25 prillit.

“Besoj se po. Kështu është edhe premtimi edhe pretendimi, edhe koha është bërë. Besoj që kjo punë do të mbyllet së shpejti. Punë ditësh është. Ne do të dalim bashkë kjo është e gjithë ideja. Ne disa parti të djathta. Me gjithë LSI bashkë do dalim ne si opozitë. Vetëm se çështja e listave  mund të krijohet ideja për t’u bërë dy lista më vete. Por ne do të bashkohemi me listën e PD-së. LZHK-ja dhe disa parti të tjera do të hyjnë në listë me PD-në”, theksoi Shehi për ATSH.

“Ndërsa për atë nëse LSI do të hyjë bashkë me PD-në ajo është një gjë që do ta vendosin brenda këtyre dy javëve. Besoj. Sepse në radhë të parë është punë e tyre. Ne e kemi pas bërë një marrëveshje me PD-në. Është PD në mes, është çerniera që i lidh të gjithë palët”, tha Shehi.

Shehi shtoi se, “deri tani jemi në këtë status dhe besoj se kështu do vazhdojë deri ditën e zgjedhjeve”.

I pyetur në rast se nuk do të ketë koalicion me PD, a është i gatshëm të bëjë një koalicion me partitë e tjera të djathta që janë krijuar duke formuar kështu një pol të tretë, Shehi tha se, “Jo. Ne i ftojmë të gjithë të vijnë këtu tek ky bashkimi ynë. Do të ishte e tepërt. Një pol LSI, një pol të tjerët. Këtu ka grupe që s’kanë për të hyrë në asnjë. Do të krijosh një hutim në elektorat, një paqartësi. Nuk është se këtu ne jemi një shoqëri e edukuar, e avancuar demokratikisht që është në gjendje të bëjë dallimin nga ky grup, tek ai grupi tjetër”.

Plus, nënvizoi ai, “sistemi zgjedhor është relativisht i koklavitur. Sa më shumë ta thjeshtojmë do të ishte më mirë për qytetarët shqiptarë. Aq më tepër që këtë radhë kemi në votim edhe një shtesë tjetër. Sepse do të votohet përtej partisë, do të votohet edhe për individin. Me një listë çerek të hapur po çfarë rëndësie ka. Do të krijohet edhe aty një pështjellim në një farë mënyre sepse është për herë të parë që shqiptari voton emrin dhe voton dhe për partinë”.

“Kështu që imagjinoje tani këtë ekuacion që ka që në fillim dy të panjohura, shumëzoje edhe me katër grupe sesa e ngatërruar del kjo punë. Kështu që ne jemi për ta thjeshtuar skemën”, tha Shehi.

Sidoqoftë, tha ai, “opozita do të dalë me një listë që mund të jetë praktikisht e ndarë në një ose në dy grupe, por politikisht do të dalë në një marrëveshje të përbashkët. Të gjithë bashkë”.

Sa i përket listave Shehi u shpreh i keqardhur që nuk u hapën plotësisht. “Mua më vjen keq që nuk u hapën. Kjo në fakt është një lloj justifikimi. S’po dua të them një gënjeshtër e madhe, sepse në fakt ashtu është. Sepse lista faktikisht nuk është e hapur me thënë të drejtën. Kur të zbatohet në terren do ta kuptojnë të gjithë që s’është e hapur. Ky është kërcim me shkop, ne akoma s’kemi mësuar këtë kërcimin e thjeshtë. Duhet të vish nga mbrapa listët ti me shumën e votave mesatare për partitë, domethënë një ngatërresë e madhe, për të kapërcyer të fundit e listës paraardhëse”.

“Kështu që nga kjo pikëpamje ajo nuk është fare e hapur, është hapur vetëm një pjesë. Ajo ka vetëm një element, një lloj emulacioni, kush është i pari, kush është më i zoti, kush merr më shumë vota për simpatinë popullore. Por raportin brenda listës nuk e ndryshon fare. Kështu që më vjen keq që u harxhuan shumë fjalë dhe nuk u bë kurrgjë”, tha Shehi.

I pyetur se cili është objektivi i LZHK në zgjedhjet e 25 prillit, Shehi tha se, “varet sesa kandidatë do të kemi brenda. Varet nga numri. Se me këtë ligj që jemi sot. Po të dhanë një kandidat do të marrësh atë kandidat, po patë dy, po patë tre, po pate dhjetë. Kjo varet deri ku do mbërrijmë me marrëveshje. Objektivi i LZHK politik është ky të rrëzojmë këtë qeverinë e Rilindjes. Po mbaruam këtë punë LZHK-ja i ka bërë të gjithë detyrat e veta. Kjo është objektivi i parë, është i natyrës politike. Ai i përditshmi pastaj është që të fusë sa më shumë deputetë. Po u bëmë 2-3 vetë këtë radhë do të ishte një gjë e mirë”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.