Aeroporti i Vlorës do ndërtohet, gara ndërkombëtare do të rihapet aty ku u ndërpre për shkak të pandemisë

TIRANË, 14 nëntor/ATSH – I. Vata/- “Aeroportin e  Vlorës e kemi premtuar dhe do ta ndërtojmë me rihapjen e garës ndërkombëtare aty ku u ndërpre për shkak të pandemisë”. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në aktivitetin “Deputeti që duam”, zhvilluar në Vlorë.

Në fjalën e  tij, Rama tha se “aeroportin e Vlorës e kemi premtuar dhe do ta ndërtojmë, nuk diskutohet. Arsyeja e vonesës së procesit pasi procesi u hap, nuk lidhet me ne. Ne e hapëm procesin përpara fillimit të pandemisë. Pandemia na detyroi të ndalojmë procesin për shkak se ishte e pamundur që të vinte njeri për të aplikuar siç i ndaloi e gjithë bota këto procese, aq më tepër në industrinë aeroportuale dhe ajrore që faktikisht është më e goditur më shumë nga të gjitha”.

Ai tha se “kemi vazhduar çdo ditë përpjekje për të rihapur procesin dhe gara ndërkombëtare do të rihapet aty ku është lënë dhe aeroporti I Vlorës do të ndërtohet kjo nuk diskutohet”

“.Tani edhe sikur për një moment disa dyshojnë, shanset që të bëhet një aeroport në Vlorë janë më shumë me ne apo me Leskon dhe me Lulin? Shanset që çdo gjë tjetër të bëhet, janë më shumë me ne apo me Leskon dhe me Lulin”, tha ai

Po ashtu, Rama shtoi se” dhe për shqiptarët pyetja është shumë e thjeshtë, shanse që të behët ajo që ju keni hall të zgjidhe, që ju keni dëshirë të ndodhë, janë më shumë, Lulin, Liken Monën dhe Saliun apo me mua dhe PS”.

“Shumë e thjeshtë. Ne s’jemi absolutisht më të mirët, që mund të gjenden në këtë qiell, patjetër kemi të meta plotë, patjetër kemi të meta, patjetër kemi boshllëqe, por më të mirë se ne për këtë punë nuk ka dhe nuk do ketë edhe për shumë kohë, ma besoni. Dhe sot që flasin ata që pretendojnë se janë më të mirë, janë shalqi me provë. kunguj kanë dalë të tërë kur kanë pasur në dorë atë që kërkojnë ta rimarrin prap”, tha ai.

Gjithashtu, Rama fton të gjithë t’i bashkohen PS-së si alternativa e vetme me e mirë politike dhe qeverisëse.

“Kështu që jam i bindur plotësisht se ditë pas ditë njerëzit që janë më mëdyshje apo ata që thonë sot që s’dua të votoj duhet të kuptojnë se këtu nuk ka vend për mëdyshje, këtu rruga është e qartë dhe në këtë rrugë të qartë unë i ftojë të gjithë edhe një herë që të na bashkohen me ne, bujrum”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.