“Ndërmarrje e degraduar me një ortakëri të dalëboje”/ Rama: Ajo që përfaqëson institucioni i Presidentit është kthyer në një komedi

TIRANË, 13 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ajo që përfaqëson institucioni i Presidentit të Republikës është kthyer në një komedi të madhe për të qarë dhe për të qeshur”.

“Ata duan t’i ftojnë shqiptarët në një krushqi të re që në momentin që ta hanë tekun, t’ju dali Iliri me Monikën dhe t’ju thotë se mblesët jemi ne, ku është pjesa jonë. Dhe ju e dini  sa e ka pjesën Monika, e keni parë këtu në Fier, e keni parë mirë në Fier dhe për më tepër nëse deri dje pavarësisht të tërave ishte e mundur të bashkëpunoje me Ilir Metën e  ndërmarrjen e tij, sot nuk ka më asnjë mundësi. Është një ndërmarrje e degraduar me një ortakëri të dalëboje komplet mes njërit që duhet të bëj Presidentin dhe në fakt bën sekserin e asaj ndërmarrjeje dhe një tjetre që duhet të jetë zonja e parë e vendit dhe në fakt bën menaxheren e ndërmarrjes”, tha Rama.

“Ata që pyesin: ‘për çfarë duhet një mandat i tretë i PS-së?’. Nuk ka nevojë fare ta ngrenë këtë pyetje. Nëse duan me të vërtetë përgjigje, ajo është te çdo krahasim mes 7 viteve më parë dhe sot në çdo fushë dhe te fakti se sot pas 7 vitesh kush do të shikojë e kupton, të gjithë kanë mundësi ta shohin dhe kuptojnë qartë se është një ndryshim i papërfunduar që duhet të vazhdojë, sepse janë të gjitha në mes”, tha Rama.

Ai theksoi se “Shqipëria që ne duam nuk është kjo që kemi. Në këtë pikë bie dakord me të gjithë ata që jo për arsye mllefi, por sepse duan Shqipëri më të mirë e ndeshin në shumë pengesa e halle, ankohen dhe kritikojnë”.

“Por ama këtu jemi në kushtet kur duhet të bëjmë një zgjedhje konkrete. Nëse Shqipëria që duam nuk është kjo që kemi, ajo që kemi nuk krahasohet me atë që kishim. Kjo lidhet vetëm me faktin se kemi PS-në. Nëse nuk do të ishte PS, Shqipëria sot do të ishte në situatën që do ishte bërë turpi dhe gazi i botës nëse COVID do ta kishte gjetur me spitalet e Saliut dhe ndërmarrjes së Ilirit”, tha Rama.

“Parafytyroni të vinte COVID në një kohë kur nuk kishte, jo aparatura oksigjeni, por s’kishte aspirina e bluza për mjekët e infermierët. Shqiptarët janë të lirë të shkojnë për t’u kuruar nga COVID në Turqi, ne nuk do i ndalojmë, por u them të gjithëve se asgjë mangut nuk ka në këtë betejë. Turqia ka gjëra fantastike në shëndetësi në shumë gjëra të tjera, por në këtë betejë as Italia, as Franca, as Turqia nuk kanë më shumë se ne nga pikëpamja logjistike, farmaceutike, profesionale. Kemi 550 mjekë dhe 1800 infermierë në këtë front. Atyre që i kanë masakruar me sharje e i kanë baltosur papushim do u thosha: nxirrni dy fjalë të këqija për mua, por jo fjalën e keqe për mjekët, se janë heronj e meritojnë vetëm respekt”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.