COVID-19/ Prifti: Nuk ka një protokoll universal, çdo shtet ka mënyrën e vet të mjekimit

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Edvin Prifti, shefi i kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë sqaroi për publikun disa detaje në lidhje me sëmundjen që shkakton koronavirusi.

“Në të vërtetë njeriu nuk vdes nga virusi. Sars-cov 2 në ndryshim nga Sars-cov 1 që ishte virus që sulmonte qelizat ku hynte, ky është një virus që vetëm futet në organizmin e njeriut, shumohet edhe del dhe pas dy javësh shumica e pacientëve janë negativë”, sqaroi ai.

Gjatë një interviste televizive Prifti shpjegoi se, “në një përqindje të rasteve organizmi hiper reagon dhe ky hiper reagim prodhon sëmundjen e Covid. Këto janë rastet kur njerëzit mezi mbushen me frymë. Kjo është një sëmundje e reaksionit të organizmit ndaj një produkti të huaj që futet në organizëm. Kjo sëmumundje për herë të parë sjell bashkimin e dy grupeve të sëmundjeve infektive me ato degjenerative siç janë tumoret”.

Sipas tij, mënyra sesi po trajtohet Covid tashmë është ndërthyrje e këtyre dy komponentëve.

Lidhur me rastet e ndryshme të paraqitjes së kësaj sëmundjeje tek njerëzit, që disa e kalojnë më lehtë dhe disa më rëndë, Prifti tha se, “kjo sëmundje ka dhe një predispozitë gjenetike që sjell edhe reagimet e ndryshme”.

Ai tha se, kjo është një sëmundje tinëzare dhe humbja e jetës vjen nga insuficienca respiratore, por edhe nga trombozat që mund të ndodhin. “Pra, ka një status hiperkogualiteti. Kjo sëmundje nuk trajtohet me paracetomol, ajo kërkon mjekim spitalor”.

Sipas tij, nuk ka një protokoll universal të caktuar dhe çdo shtet apo spital ka mënyrën e vet të mjekimit për këtë sëmumndje. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.