SUEDI – Lofven: Ndiqni këshillat dhe rekomandimet antiCOVID-19

STOKHOLM, 11 nëntor /ATSH-AFP/ – Përballë përkeqësimit të epidemisë COVID-19 në vend, qeveria suedeze i bëri sot thirrje popullsisë që të ndjekë rregullat shëndetësore, edhe pse ato nuk janë detyruese.

“Veprimet e secilit person, neglizhenca e secilit person ka një domethënie”, këmbënguli kryeministri Stefan Löfven, duke vënë në dukje se shumë suedezë besojnë se janë të autorizuar t’i anashkalojnë rekomandimet.

“Shumë po veprojnë siç duhet, por disa jo”, shtoi udhëheqësi socialdemokrat në një konferencë shtypi.

“Për fat të keq, duket sikur po i drejtohemi një kohë më të errët përsa i përket përhapjes së infektimeve dhe rrezikojmë të përjetojmë situatën që patëm pranverën e kaluar”, paralajmëroi ai.

Ekzekutivi njoftoi sot ndalimin e shitjes së alkoolit nga ora 22:00, duke filluar nga 20 nëntori deri në shkurt 2021.

Mbretëria prej 10,3 milionë banorësh ka ndjekur një strategji më pak të rreptë sesa shumica e vendeve europiane përballë koronavirusit, pa maska, pa bllokime ose mbyllje dyqanesh.

Rekomandimet kanë forcën e rregullave por nuk shoqërohen me masa shtrënguese ose sanksione./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.