Rama: Do bëjmë çmos të mos kthehemi mbrapa në masat e rënda shtrënguese të valës së parë

TIRANË, 11 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal te masat kufizuese që hyjnë sot në fuqi, ndërsa tha se “mbyllja e madhe do të ishte shumë e rëndë për ne”.

“Sot hyjnë në fuqi masat e tjera. Ne do bëjmë çmos që të mos mbyllemi, do bëjmë çmos të mos kthehemi mbrapa në masat e rënda shtrënguese të valës së parë. Bëjnë mirë të gjithë të respektojnë rregullat dhe secilit ta mendojë mirë se ka diçka në dorë, se pastaj vijmë te mbyllja e madhe që do ishte shumë e rëndë për ne”, tha Rama në një komunikim me gazetarët.

Rama theksoi se “përveç COVID kemi gjithë ato plagë të tërmetit që duhet të kurojmë dhe si kemi lënë asnjë gjë mangët. Po ashtu kemi dhe ekonominë që duhet ta nxisim. Arsyeja pse është ky orar janë klubet e natës se aty është tamam të shkosh në party me COVID-in. Kjo është arsyeja pse mbyllemi në 10 të natës. Të tjerë i kanë mbyllur në 8 apo në 6, ne duam të ecim duke pasur parasysh të gjitha”.

Po ashtu, Rama tha se “nuk kemi parë deri tani një efekt negativ të atillë që na detyron t’i kthehemi vendimit për shkollat, fakt që e thonë edhe vendet e tjera”.

“Për këtë arsye vendet e tjera kanë universitetet online dhe kanë shkollat fillore dhe të mesme të hapura. Stafet pedagogjike po bëjnë një punë fantastike për të respektuar masat”, tha Rama./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.