Opozita propagandë të shfrenuar me COVID/ Mbështet shpresat e lodhura për pushtet tek ëndrra e një katastrofe shëndetësore

TIRANË, 11 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se opozita është bërë zëdhënëse e panikut, çorodisë psikologjike dhe një pesimizmi krejtësisht të fabrikuar për të krijuar sa më shumë dëshpërim në popull përmes gënjeshtrash, sajesash e abuzimesh të një propagande të shfrenuar.

Në një komunikim me mediet, Rama shprehu “ndjenjën e neverisë dhe të përbuzjes për shefat e të ashtuquajturës opozitë, që janë çakërdisur deri në pikën ku shpresat e tyre të lodhura për pushtet i kanë mbështetur të gjitha tek ëndrra e një katastrofe shëndetësore”.

“Kjo propagandë e shfrenuar dëmton seriozisht moralin e mjekëve, infermierëve, ekspertëve që me shumë profesionalizëm e përkushtim po udhëheqin në këtë front ku Shqipëria ka vetëm një pjesë aq të vogël, sa është vetë, në një vijë që përfshin të gjitha vendet e planetit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është e pajustifikueshme me asgjë që sot t’u thuhet në mënyrë të përditshme njerëzve se spitalet janë në kolaps, çka nuk është e vërtetë”.

“Edhe mund të ishin si ka ndodhur në vende më të zhvilluara, por nuk janë. E pajustifikueshme të thuash se njerëzit dergjen dyshemeve, nuk është e vërtetë, edhe mund të ishte siç ka ndodhur në spitale më të famshme botërisht. Të thuash se mjekimi bëhet në autoambulanca, që qeveria po vjedh prandaj numri i infektimeve e vdekjeve po rritet, çka është absurde sepse për fat të keq por edhe për fat të mirë fakti është se numrat po rriten eksponencialisht kudo. Po vjedh Kancelarja Merkel dhe qeveria gjermane? Po vjedh kryeministri dhe qeveria britanike, apo presidenti dhe qeveria franceze?”, tha Rama.

Kryeministri tha se “është një absurd që fatkeqësisht nuk vjen nga padituria por nga qëllimi ogurzi për të nxitur panik, për të mbjellë çdo ditë dëshpërim dhe për të armiqësuar njerëzit me qeverinë”.

“Shumë e dukshme, shumë vulgare, shumë e dënueshme si strategji politike për pushtet. Për një pushtet që nuk kanë shans ta rimarrin pasi e kishin dhe e shpërdoruan në atë farë feje. Situata me COVID nuk i gjeti mjekët dhe infermierët pa përparëse për punën e përditshme e lëre më pa kostumet mbrojtëse; nuk i gjeti pavijonët pa çarçafë e batanije e lëre pastaj pas aparaturat që përdoren në gjithë botën; nuk i gjeti të sëmurët pa aspirina në spital, lëre pastaj me të gjitha protokollet shëndetësore që përdor sot gjithë bota. Atëherë do të kishim parë çfarë do të thotë katastrofë kombëtare. Si mund të gënjehet në këtë farë feje? Të organizohet përditë një sulm i tillë në emër të opozitarizmit duke nxjerrë lloj-lloj sharlatanësh që flasin për gjëra pa lidhje?”, tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.