Miratohet kompensimi për të shpronësuarit nga ndërtimi i nënstacionit Tirana 3

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i nënstacionit 400/110/20 kV Tirana 3”.

Sipas vendimit, shpronësimi bëhet në favor të “Operatorit të Sistemit të Transmetimit”, sh.a.

Pronarët e pasurive të paluajtshme pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, në shumën e përgjithshme prej 18 711 640 (tetëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet) lekësh, thuhet në VKM.

Vendimi thekson se, vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 18 711 640 (tetëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet) lekësh përballohet nga “Operatori i Sistemit të Transmetimit”, sh.a.

Vlera për shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, do të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, në zyrat e “Operatorit të Sistemit të Transmetimit”, sh.a.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me “Operatorin e Sistemit të Transmetimit”, sh.a., të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të “Operatorit të Sistemit të Transmetimit”, sh.a.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, theksohet në vendim.

Gjithashtu qeveria vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga projekti “Rikonstruksion sheshi “Ismail Qemali” dhe rruga “Veterani”, Bashkia Pogradec”.

Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Pogradec.

Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, për pasurinë e llojit tokë “truall”, me vlerë 4 107 226.5 (katër milionë e njëqind e shtatë mijë e dyqind e njëzet e gjashtë pikë pesë) lekë, thuhet në VKM.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 107 226.5 (katër milionë e njëqind e shtatë mijë e dyqind e njëzet e gjashtë pikë pesë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Bashkisë Pogradec.

Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Pogradec.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec, theksohet në vendim. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.