Detyrimet e prapambetura të njësive të vetëqeverisjes vendore llogariten 8.7 miliardë lekë

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Detyrimet e prapambetura të njësive të vetëqeverisjes vendore llogariten 8.7 miliardë lekë.

Në këtë kuadër, qeveria po i kushton një fokus të posaçëm shlyerjes së detyrimeve të prapambetura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore është duke zbatuar një plan veprimi për shlyerjen e detyrimeve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në relacionin e projektbuxhetit të shtetit për vitin 2021 shprehet se ligji për financat e vetëqeverisjes vendore dhe implementimi i akteve nënligjore në zbatim të tij do të forcojnë disiplinën financiare për të parandaluar akumulimin e detyrimeve të prapambetura në të ardhmen për të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore.

“Për shkak të situatës së vështirë të krijuar nga pandemia COVID-19, stoku i detyrimeve të prapambetura në nivel vendor pësoi një rritje me një vlerë rreth 500 milionë lekë, ku nga 8.2 miliardë lekë që ishte në fundin e vitit 2019 arriti në vlerën rreth 8.7 miliardë lekë në fund të qershorit të vitit 2020”, thuhet në relacionin e p/buxhetit.

Po ashtu, theksohet se në vitin 2021 do të vazhdojë të monitorohet periodikisht zbatimi i planit të shlyerjes së detyrimeve nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, deri në shlyerjen e plotë të tyre./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.