COVID-19/ Karantina totale do jetë faza e fundit, Tomini: Masat e reja kufizuese, për minimizimin e transmetimit të virusit

TIRANË, 10 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/ Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP, Eugena Tomini deklaroi sot se karantina totale do jetë faza e fundit dhe masat e ndërmarra kufizuese u vendosën për të minimizuar transmetimin e virusit.

Duke u ndalur tek masat e reja kufizuese të cilat hyn në fuqi nesër Tomini gjatë një intervsite televizive theksoi se, “çdo 2 javë vlerësojmë indikatorët sa i përket rasteve pozitive, vdekjeve, shtrimeve spitalore, shërimeve… etj. Ky monitorim na vë para përgjegjësisë sa i përket masave. Edhe në rajon dhe në botë po i rikthehen masave. Për shkak të këtyre indikatorëve që kanë kaluar në një nivel të lartë alerti kemi vendosur kufizim të bareve dhe restoranteve dhe kufizim të lëvizjes përtej orës 22:00. Duam ta minimizojmë transmetimin e infeksionit sa kemi mundësi nëpërmjet këtyre masave, për të mos shkuar në ekstrem”.

Mbi zonat më të riskuara të përhapjes së COVID-19 në vendin tonë Tomini tha se, “aktualisht është bërë një kategorizim i riskut sipas nivele. Nuk është vetëm Tirana që mban peshën e pandemisë por dhe qarqet që kanë peshë dhe numër të lartë”.

E pyetur nëse do t’i rikthehemi një karantine totale ajo u shpreh se kjo do jetë faza e fundit kur të jenë ezauruar dhe shfrytëzimi i kapaciteteve spitalore.

“Duhet të theksohet që karantina kombëtare dhe gjeografike do të shfrytëzohen për të ulur transmetimin e infeksionit si shans i fundit. Kjo duke vlerësuar dhe situatën ekonomike. Karantina le të themi se do lihet në fund kur të jenë ezauruar dhe shfrytëzimi i kapaciteteve spitalore. Duhen ezauruar dalëngadalë skenarët për të marrë më pas dhe masat nga një nivel i moderuar te një nivel më i lartë”, – tha ajo.

“Jemi duke vlerësuar të gjitha masat lehtësuese që kanë qenë deri në këto moment dhe duke parë rritjen e rasteve. Janë duke u vlerësuar të gjitha subjektet. Transporti është një element i domosdoshëm por vendosja e maskës si një masë e vetme nuk duhet të kuptohet si e vetme. Janë vendime që do merren në dinamikë varësisht situatës”, – tha Tomini. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.