Programi i Zhvillimit  Rural/ Rritet me 29% buxheti për vitin 2021

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ Financimi i Zhvillimit Rural parashikon një rritje prej 29% vitin që vjen.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi u shpreh se, “buxheti i vitin 2021 për bujqësinë, parashikon për programin e Zhvillimit Rural, ku përfshihen skemat mbështetëse të fermerëve me subvencione, një rritje të financimit me 29% krahasuar me vitin 2020”.

Sipas tij, fondi total për këtë program arrin në 5,2 miliardë lekë bashkë me fondin për naftën e përjashtuar nga barra fiskale.

“Buxheti i Skemës Kombëtare të vitit 2021 që mbështet me subvencione sektorë prioritarë si blegtoria, prodhimi në serra, bletaria apo çertifikimi i standardeve të prodhimit, ka një rritje me thuajse 58% ose një vlerë 1.8 miliardë lekë përfshi edhe skemën e naftës pa taksa”, – deklaroi Çuçi në komisionin e Ekonomisë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.