Meta vlerëson me titullin “Mjeshtër i Madh” ish-futbollistë të “KF Tirana”

TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne ish-futbollistë të ekipit “KF Tirana” (17 Nëntori), të cilët falë talentit dhe profesionalizmit të tyre u dalluan jo vetëm në skuadrën kampione të kryeqytetit, por dhanë kontribute të paharrueshme edhe në Ekipin tonë Kombëtar.

Me rastin e 100-vjetorit të krijimit të “FK Tirana” Presidenti Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” Osman Mema “Për kontributin dhe rezultatet e larta sportive të arritura në futboll me ekipet ‘Tirana’, ‘Partizani’ dhe Ekipin Kombëtar. Lojtar i jashtëzakonshëm  në fushën e blertë; mbrojtës i shkëlqyer i dinjitetit njerëzor, vlerave qytetare dhe demokratike”.

Bedri Omuri, “Për cilësitë e spikatura në lojën e futbollit si mesfushor i ekipit ‘Tirana’ dhe ‘Ekipit Kombëtar’, duke demonstruar në fushën e blertë aftësitë e tij të shkëlqyera të lojtarit profesionist e të suksesshëm”.

Millan Baçi, “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në futbollin shqiptar si lojtar i ekipit ‘17 Nëntori’ dhe ‘Ekipit Kombëtar’. Futbollist i suksesshëm; falë aftësive të tij fizike e teknike ka arritur rezultate të shkëlqyera sportive”.

Edmond Gëzdari “Për pasionin dhe karrierën e suksesshme si futbollist. “Golashënues” i spikatur i ekipit ‘Tirana’; trajner e specialist i suksesshëm; mësues i palodhur i futbollistëve të rinj”.

Mirel Josa, “Në shenjë vlerësimi për kontributin e spikatur në futbollin shqiptar. Futbollist e trajner i rezultateve të larta në arenën kombëtare e ndërkombëtare. I talentuar dhe i dalluar për lojë cilësore me korrektësi në fushë e jashtë saj”.

Artur Lekbello, “Për kontributin dhe rezultatet e larta sportive të arritura në futboll me Klubin e Futbollit ‘Tirana’ dhe Ekipin Kombëtar’. Lojtar me vlera të spikatura në veprimtaritë sportive kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Si dhe Krenar Alimehmeti “Për rezultatet e larta sportive të arritura në futboll me Klubin e Futbollit ‘Tirana’ dhe ‘Ekipin Kombëtar’. Lojtar me kontribut të çmuar në veprimtaritë sportive kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar futbollistëve të shquar, familjarëve dhe kolegëve të tyre, trainerëve dhe gazetarëve sportivë të pranishëm, Meta u shpreh i lumtur që “vazhdojmë sot me nderimet e disa prej emblemave të KF Tiranës, në kuadrin e 100-vjetorit të kësaj skuadre, që me rezultatet e arritura përgjatë një shekulli, ka lartësuar jo vetëm emrin e kryeqytetit, por edhe të vendit tonë”.

“Rezultatet historike të “Tironës”, i ruajmë edhe sot si kujtime të bukura e emocionuese të konkurrencës  sportive, frymëzuese për çdo gjeneratë. Përfaqësimi dinjitoz dhe rezultatet e jashtëzakonshme, që  keni arritur në ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare, si lojtarë të KF Tiranës, por edhe të Ekipeve Kombëtare,   si përfaqësues të asaj gjenerate të artë, do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e sportdashësve tanë”, tha Meta.

“Emrat që nderojmë sot, padyshim janë krenari e vërtetë e futbollit të KF Tiranës dhe atë kombëtar. Futbolli i KF Tiranës së madhe ka nevojë të vlerësojë historinë e tij të lavdishme dhe unë besoj se ne të gjithë e kemi për detyrë fisnike dhe qytetare të vlerësojmë futbollistët, të cilët kanë qenë pjesë e atyre emocioneve të paharruara, që kanë gëzuar të gjitha familjet tona”, u shpreh Meta.

“KF Tirana është skuadra që ka prodhuar aq shumë lojtarë cilësorë, të cilët kanë shkëlqyer me lojën e talentin e tyre edhe në Ekipet tona Kombëtare përballë skuadrave më të mëdha të Europës, duke befasuar specialistët profesionistë dhe lojtarët më të mirë të kohës, të skuadrave të njohura”, theksoi ai.

“Nderojmë sot me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” futbollistin Osman Mema, anëtarin e dinastisë së familjes së futbollit Mema, familje, e cila ndër vite ka nxjerrë futbollistë cilësorë e njerëz mjaft të  respektuar. Osman Mema ka qenë një lojtar brilant, një mbrojtës i shkëlqyer i dinjitetit njerëzor, i vlerave sportive, qytetare dhe demokratike”, tha Meta.

Gjithashtu vijoj Meta, ” nderojmë mesfushorin e shkëlqyer Bedri Omuri me aftësitë e tij të spikatura kudo në fushën e blertë, një lojtar profesionist i klasit të lartë, që nga mbrojtja e deri golashënues befasues. Të palodhurin dhe “mbretin” e krahut të djathtë, shpirtin e skuadrës dhe të krosimeve precize, sidomos drejt Mingës dhe Kolës, mjeshtrin e topit, Millan Baçi; Golashënuesin e spikatur, mësuesin dhe trajnerin e palodhur Edmond Gëzdari; futbollistin e talentuar, të palodhur, të paepur, lojtarin korrekt dhe trainerin kampion Mirel Josa; lojtarin e niveleve të larta, me një kontribut të çmuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, Artur Lekbello apo siç e kemi njohur të gjithë, Tushen; mbrojtësin energjik, lojtarin e suksesshëm dhe kapitenin e jashtëzakonshëm skuadrës Krenar Alimehmeti”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.