Komiteti Teknik i Ekspertëve i hap rrugën testimit të shpejtë/ Qytetari merr përgjigjen brenda 40 minutave

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Shefja e departamentit të Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino deklaroi sot se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar udhëzimin i cili i hap rrugën futjes së testimit të shpejtë, sipas të cilit qytetari e merr përgjigjen brenda 40 minutave, nëse është i infektuar apo jo.

Kemi rritje të incidencës me 30 raste për 100 mijë banorë gjatë dy javëve të fundit, deklaroi Bino gjatë një konference për shtyp të mbajtur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku u bënë të ditura edhe masat e reja kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Përllogaritja e R-së është një element që na tregon se kemi rritje gjatë fundit të muajit tetor dhe fillimit të nëntorit që e kapërcen 1 dhe shkoi në 1.3, që tregon se kemi një transmetueshmëri më të lartë. Të gjitha këto shifra së bashku me atë që e quajmë niveli i atakut, tregojnë se kemi rritje të qarkullimit që kërkon masa përtej mbajtjes së detyrueshme të maskës, e cila është e rëndësishme dhe duhet theksuar se maska duhet mbajtur në fytyrë dhe jo poshtë mjekrës. Futja e testeve të shpejta, për të cilat u aprovua sot udhëzimi në Komitet, do të përmirësojë testimin dhe gjurmimin, ul kohën e pritjes së qytetarëve, sepse maksimimi i kryerjes së tyre shkon në 40 minuta. Ato mund të kryhen pranë qendrave shëndetësore dhe spitaleve rajonale, jashtë qendrave laboratorike të miratuara për COVID-19”, tha Bino.

Sipas saj, testet e shpejta janë specifike, që tregojnë se nëse testi del pozitiv, personi ëshë i infektuar dhe nuk ka pse të konfirmohet. Po ashtu, vuri në dukje Bino, në udhëzim është përshkruar qartë se nëse testi del negativ, por pacienti ka simptoma të COVID-19, atëherë duhet konfirmuar përmes PCR-së. Po ashtu, nëse pacienti është asimptomatik dhe testi i del negativ, por kontaktet që ka pasur janë konfirmuar pozitiv, atëherë duhet konfirmuar përmes PCR.

“Testet lehtësojnë punën në terren në drejtim të diagnozës, gjurmimit dhe depistimit”, tha Bino.

Bino u bëri thirrje qytetarëve të zbatojnë karantinën.

“U bëj thirrje qytetarëve që kur janë të infektuar të mos dalin në kafe. Ka elementë që jemi përpjekur ta ndjekim përmes policisë, por kemi nevojë që qytetarët të kuptojnë sa i rëndësishëm është izolimi”, deklaroi Bino.

Duke folur për heqjen e ritestimeve, Bino tha se është vendosur mbi baza shkencore, pasi pas ditës së 14 mendohet se këta persona nuk janë më infektues.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.