Gjitarët dhe zogjtë do të humbin 1/4 e habitatit të tyre deri në 2100-n

LONDËR, 9 nëntor /ATSH-ANSA/ – Nga gjitarët te zogjtë dhe amfibët, shumë specie në të gjithë botën tashmë kanë parë që 18% e habitatit të tyre të zhduket.

Një shifër që mund të rritet me 23% në 80 vitet e ardhshme për shkak të ndryshimit të klimës dhe zonave që i janë kushtuar bujqësisë për të përmbushur kërkesën në rritje për ushqim, sipas një studimi të botuar në revistën ”Nature Communications” nga Universiteti i Kembrixhit.

Studiuesit, të udhëhequr nga Andrea Manica, analizuan ndryshimet gjeografike të 16 919 specieve nga viti 1700 deri më sot, në mënyrë që të bëjnë parashikime për ndryshimet e mundshme deri në 2100, nën 16 skenarë të ndryshëm klimatikë dhe socio-ekonomikë.

“Madhësia e habitatit të pothuajse të gjithë zogjve, gjitarëve dhe amfibëve të njohur po zvogëlohet, kryesisht për shkak të konvertimit të tokës për të zgjeruar zonat bujqësore dhe urbane,” thekson Robert Beyer, autori kryesor i studimit.

Disa specie shtazore janë më të prekura se të tjerat: 16% kanë humbur tashmë më shumë se gjysmën e shtrirjes së tyre natyrore historike, dhe kjo mund të arrijë 26% deri në fund të shekullit.

Në rrezik janë veçanërisht zonat tropikale, ku shtrirja gjeografike e specieve kohët e fundit është zvogëluar ndjeshëm.

”Nëse një hektar pyll tropikal shndërrohet për përdorim bujqësor, shumë specie do të humbin më shumë habitate sesa në Europë. Nëse kjo tendencë vazhdon, përshpejton apo ndalet, kjo do të varet nga emetimet globale të karbonit dhe zgjedhjet e ardhshme që do të bëhen nga kompanitë tona”, shtoi Manica. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.