Denaj në fermën e luleshtrydheve në Lushnjë: Skema e rimbursimit të karburantit, mbështetje për produktet vendase

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/  Qeveria shqiptare nëpërmjet skemës së rimbursimit të karburantit synon të mbështesë fermerët dhe produktet vendase, për t’u tregtuar me çmime më konkurruese në tregjet rajonale dhe më gjerë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në kuadër të turit të drejtpërdrejtë me sipërmarrjen, u ndal në Grabian të Lushnjës, ku fermerët kanë investuar në kultura bujqësore.

“Alborganic Farm” ka realizuar një investim në kulturën politionele luleshtrydhe me një sipërfaqe prej 30 ha, me fokus arritjen e standardeve maksimale të cilësisë, ku investimi vetëm në pajisje, sistemime, në infrastrukturë (asete fizike) i kalon 3.5 milionë euro.

Drejtuesi i kompanisë, Albi Avdiu, thotë se lënda e parë, pra fidanët, i importon nga Kalifornia, ndërsa eksporton kryesisht në Itali, por edhe në vende të tjera europiane, si Italia e Danimarka.

Gjatë kësaj vizite, ministrja Denaj u shpreh, se skema më e fundit e qeverisë Rama e prezantuar në raport me skemën e subvencionit për karburantin kap një përqindje të konsiderueshme gati 50 %, që përfshin taksën e qarkullimit, të karbonit dhe akcizën. “Kompensimi me produkt karburanti, do të japë mundësinë e shfrytëzimit të kësaj toke dhe mbjelljes së saj me atë produkt që toka prodhon më së miri”, tha ministrja gjatë bashkëbisedimit me sipërmarrësin.

“Karburanti për ne është një kosto tejet e madhe. Ne kemi 10 traktorë që punojnë të gjithë sipërfaqen e tokës, sepse kemi në total 225 ha tokë”, u shpreh sipërmarrësi, duke shtuar,  se kjo nismë i vendos të barabartë në tregun ndërkombëtar, sepse tha ai “e dimë që në vendet e BE-së nafta subvencionohet dhe ne tani do ta subvencionohemi njësoj si vendet e BE-së”.

“Besojmë që do të na ndihmojë në uljen e kostos së punimit të tokës, limitimi që na ngelet është pjesa e fuqisë punëtore, që gjithmonë e më shumë po e kemi vështirë për ta gjetur”, pohon sipërmarrësi.

Lidhur me çështjen e fuqisë punëtore, ministrja Denaj theksoi se është një çështje që mbetet për të gjithë sektorët. “Megjithatë mendojmë që rritja dhe automatizimi i procesit mund të ndihmojë edhe këtë ngërç. Në fazën tonë të parë, për vitin që vjen kemi një skemë mbështetëse, e cila do ta bëjë të mundur që të rritet sipërfaqja e të punuarit të tokës dhe kthimi i saj në produkte të gatshme, mbi të gjitha për të sjellë në vëmendje atë që është prioritet në sektorin e bujqësisë, i cili sidomos në një vit si ky i pandemisë tregoi që ishte i vetmi sektor që u rrit”, tha Denaj.

Nga skema  e mbështetjes së subvencionimit të karburanteve pritet të përfitojnë më mijëra sipërmarrje në fushën e bujqësisë, të cilët tashmë janë të regjistruar dhe kanë një NIPT. Kjo pritet të ndikojë pozitivisht edhe në formalizimin e fermerëve.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.