Cakaj i kërkon njohjen e Kosovës ministrave të Jashtëm të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, bëri me dije se në mbledhjen e sotme virtuale të ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, i ka kërkuar ministres së Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, të njohin Republikën e Kosovës.

“Nuk mund të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë rajonal, pa qasje përfshirëse, trajtim të barabartë dhe njohje të ndërsjellë. Në këtë kuptim, njohja e Kosovës është një hap tejet i rëndësishëm, jo vetëm në procesin e zhvillimit ekonomik e pajtimit ndëretnik në Ballkanin Perëndimor, por edhe në rritjen e kapaciteteve të përgjithshme rajonale për anëtarësim më të shpejtë në Bashkimin Europian”, – u shpreh Cakaj.

Gjithashtu, Cakaj theksoi se është bërë thirrje për liberalizim sa më të shpejtë të vizave me Republikën e Kosovës, duke marrë parasysh plotësimin e të gjitha kushteve të nevojshme teknike.

“Çdo vonesë në këtë proces do ta dëmtojë besueshmërinë në aftësitë vendimmarrëse të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor”, – përfundoi ai./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.