Lleshaj takim me Hotin në Kosovë/Masa të shtuara kundër radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi një takim pune me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Lleshaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë bëri të ditur se gjatë takimit me kryeministrin Hoti u diskutua për bashkëpunimin në fushën e sigurisë publike, lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes së lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, angazhimin e përbashkët të Policive përkatëse kundër migracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore si dhe për masa të shtuara kundër radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Temë tjetër e rëndësishme e bisedës, tha Lleshaj, ishte dhe organizimi së shpejti i Kongresit të Autoriteteve Vendore.

“Vizita në Kosovë ishte një mundësi e mirë për të dhënë një shtysë të re në bashkëpunimin dypalësh, i cili vijon të thellohet më tej, në frymën e vendimeve të marra së fundmi në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi ministri Lleshaj.

Gjatë vizitës së tij, ministri Lleshaj u takua edhe me ministrin e Drejtësisë të Kosovës, Selim Selimi me të cilin diskutoi mbi mundësitë e shkëmbimit të përvojave në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“I shpreha gjithë angazhimin dhe vullnetin e palës shqiptare për avancimin e bashkëpunimit mes dy ministrive tona, duke besuar fort se për Kosovën dhe Shqipërinë, integrimi në Bashkimin Europian mbetet synimi kryesor”, deklaroi ministri Lleshaj lidhur me takimin me homologun Selimi.

Ministri tha se po ashtu gjatë takimit u trajtua edhe situata aktuale e krijuar në Kosovë pas fillimit të disa proceseve nga Gjykata Speciale.

“Shpreha besimin se në fund të herës ato vetëm sa do të konfirmojnë dhe certifikojnë edhe një herë faktin e njohur botërisht, se lufta e shqiptarëve të Kosovës ishte një përpjekje e ligjshme dhe e drejtë për liri, e njohur dhe e vlerësuar nga gjithë bashkësia e kombeve të lirë”, u shpreh Lleshaj.

Vetë fakti se udhëheqësit e saj, jo vetëm që nuk i janë fshehur hetimit, siç ka ndodhur rregullisht nga ata që bënë krime lufte në Ballkan, por kanë kontribuar në ngritjen e Gjykatës Speciale dhe i janë përgjigjur vullnetarisht asaj, duke hequr dorë edhe nga postet zyrtare, theksoi Lleshaj, është një dëshmi tjetër e pastërtisë së luftës së shqiptarëve të Kosovës./a.gjonaj/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.