Garancia sovrane II/ 303 biznese aplikuan për një fond rreth 12 miliardë lekësh

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ Rreth 303 sipërmarrje në të gjithë vendin kanë aplikuar pranë bankave të nivelit të dytë për të përfituar fonde nga instrumenti i garancisë sovrane II që lëshoi qeveria shqiptare për kapital qarkullues dhe investime, për të përballuar situatën në të cilën u ndodhën këto kompani, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Referuar të dhënave të përditësuara gjatë kësaj jave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kjo garanci sovrane aplikohet për bizneset e të gjithë sektorëve të ekonomisë që kanë nevojë për kapital qarkullues dhe investime për rimëkëmbjen e tyre.

Deri tani bizneset kanë aplikuar për një fond rreth 12 miliardë lekësh dhe janë aprovuar mbi 50% e aplikimeve nga bizneset.

Nga 303 aplikime, ministria bëri të ditur se janë miratuar 197 prej tyre për një vlerë prej rreth 6.3 miliardë lekësh.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nuk ka bërë të ditur një afat përfundimtar për aplikim nga ana e bizneseve për të përfituar nga Garancia Sovrane II.

Ministrja Denaj ka deklaruar më herët se procesi ka një ecuri të ulët, pasi kërkohet një analizë më e madhe nga ana e bankave dhe një projeksion 5 vjeçar nga ana e bizneseve, për të përfituar nga garancia prej 15 miliardë lekësh e vënë në dispozicion nga qeveria për kapital qarkullues dhe aktive fikse.

Ndaj theksoi ajo, biznesi do t’i lihet e hapur mundësia për të aplikuar.

Avantazhet e kredisë me garanci sovrane janë kushtet preferenciale të financimit, interes që nuk do të kalojë asnjëherë normën 5%, periudhë pa shlyerje të principalit prej 6 muajsh, garanci 60% nga shteti shqiptar për kolateral si dhe periudhë shlyerjeje 5-vjeçare. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.