Tabaku: Mungesë transparence për procedurat e tenderit për shkollën “Sami Frashëri”

TIRANË, 6 nëntor /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi sot se Erion Veliaj hesht në lidhje me pyetjet për fondet e BE-së për shkollën “Sami Frashëri”.

Sipas Tabakut, “Sami Frashëri” nuk do ndërtohet me fondet e BE dhe Veliaj fsheh të vërtetën.

“Një javë me radhë kam pyetur Erion Veliajn për pretendimin se fondet e BE për tërmetin do ndërtojnë shkollën “Sami Frashëri”. Ai hesht dhe fyen. Faktet?! Shkolla “Sami Frashëri” nuk do ndërtohet me fondet e BE. Atëherë përse gënjeu dhe gënjen? Ngaqë do të fshehë të vërtetën që thërret në mes të sheshit”, shprehet ajo.

Tabaku thekson se Erion Veliaj nuk ka bërë ende transparente procedurat e tenderit për shkollën “Sami Frashëri”.

“Erion Veliaj, sot e kësaj dite nuk ka bërë ende transparente procedurat e tenderit. Gënjeshtra ka hundën e gjatë dhe këmbët e shkurtra. Fatkeqësisht gënjeshtarët kanë gjuhën e gjatë dhe iu mungon cipa”, shprehet ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.